Industria e mbrojtjes e Turqisë, e cila është një burim krenarie, po shkruan histori, u shpreh presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan në eventin e madh turk të teknologjisë, edicionin detar të festivalit TEKNOFEST, të emëruar si “Atdheu Blu”, raporton Anadolu.
Eventi katërditor, “TEKNOFEST Atdheu Blu”, po mbahet në Komandën e Kantierit Detar të Stambollit. ndërsa Anadolu po shërben si partner global i komunikimit. Edhe pse festivali filloi sot, publiku do të jetë në gjendje të marrë pjesë më 29-31 gusht.
Ndërsa miqtë e Turqisë i lavdërojnë arritjet e saj, kundërshtarët e vendit po përpiqen me padurim ta arrijnë atë, tha presidenti Erdoğan në fjalën e tij.
Ashtu si lufta e vendit për pavarësi u dha shpresë të shtypurve 100 vjet më parë, iniciativat e sotme të industrisë së mbrojtjes po u japin kurajë të shtypurve, tha ai.
“Kudo që ka një vëlla ose motër që vuan nga vështirësitë, nga Palestina në Siri, nga Jemeni në Somali, nga Sudani në Libi, ata krenohen me arritjet e Turqisë”, vuri në dukje ai.
Në një kohë shumë të shkurtër, Turqia ka arritur një nivel që bota e ka zili, nënvizoi ai.
Erdoğan tha se Turqia po forcon industrinë e saj të mbrojtjes, ndërsa po punon gjithashtu për të rritur interesin e brezit të ri për teknologjinë, digjitalizimin dhe inovacionin.
Vizitorët do të jenë në gjendje të shohin se sa larg ka përparuar teknologjia detare turke, shtoi ai.