Dhimbja nuk është për politikë në ndërkohë që janë vetë familjarët e viktimave në Spitalin Modular që kundërshtojnë përvetësimin e iniciativës për memorial ndaj kreut të Komunës Bilall Kasami dhe ministrit të Shëndetësisë Azir Aliu.
Ajo ngjarje vazhdon të mbetet një plagë që ende nuk është shëruar por në të njëjtën kohë ajo rihapet për qëllime politike. Familjarët e viktimave të tragjedisë së 8 shtatorit 2021 në Spitalin Modular të Tetovës, ku humbën jetën 14 persona në mënyrë të tmerrshme, po përballen jo vetëm me dhimbjen e përhershme të humbjes, por tashmë edhe me përpjekjet për përvetësim të iniciativës së tyre për ndërtimin e një memoriali përkujtimor përcjellë Tetovasot.
Njëri ndër familjarët e viktimave, në deklaratë për Tetovasot, e hedh poshtë kategorikisht idenë se ky memorial është iniciativë e Komunës së Tetovës apo e ndonjë institucioni shtetëror përfshirë këtu Ministrinë e Shëndetësisë. Ai sqaron se ideja ka lindur si nevojë morale e vetë familjarëve për të pasur një vend simbolik për të nderuar të afërmit e tyre që humbën jetën në rrethana tragjike dhe të pasqaruara plotësisht.
“Është fyerje për ne që po përdoret dhimbja jonë për agjenda politike. As kryetari i komunës Bilall Kasami, e as ministri i Shëndetësisë Azir Aliu nuk kanë qenë iniciatorë të kësaj ideje. Ne, familjarët, kemi kërkuar që ky park të jetë vend përkujtimi, jo një objekt marketingu politik,” – tha ai.
Deklaratat e fundit publike të zyrtarëve lokalë dhe shtetërorë që paraqiten si mbështetës ose iniciatorë të projektit, kanë shkaktuar zhgënjim dhe revoltë në radhët e familjarëve. Ata e shohin këtë si një përpjekje për të politizuar tragjedinë, në vend që të ofrohet drejtësi e sinqertë dhe përkujdesje për humbjen e madhe që pësoi qyteti.
Të kujtojmë se pas tragjedisë, përveç premtimeve të shumta për zbardhjen e plotë të rastit, askush nuk ka marrë përgjegjësi të qartë institucionale për atë që ndodhi në atë natë fatale. Ndërtimi i një memoriali është për familjarët më shumë se simbolikë – është një përpjekje për të ruajtur kujtesën dhe për të mos lejuar që tragjedia të harrohet.
Ata i bëjnë thirrje të gjithë përfaqësuesve të pushtetit që të ndalojnë manipulimin politik të iniciativave që burojnë nga dhimbja, dhe të respektojnë të drejtën e familjarëve për të nderuar të dashurit e tyre pa ndërhyrje dhe përvetësim.
Ata duam drejtësi dhe dinjitet, jo fotografi dhe përfitime politike mbi vuajtjet e tyre .Tetovasot