Shkup, 7 gusht 2025 – Në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në tetor, Besëlidhja Aleanca Kombëtare për Integrim ka publikuar listën pothuajse përfundimtare të kandidatëve të saj për kryetarë komunash dhe për Qytetin e Shkupit. Njoftimi është bërë përmes një publikimi në rrjetin social Facebook nga Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Faton Ahmeti.

Sipas tij, këto kandidatura përfaqësojnë vizionin e një përfaqësimi të denjë dhe autentik të shqiptarëve në institucionet lokale, duke vënë theksin në unitetin politik të Besëlidhjes.

Lista e kandidatëve të shpallur deri tani është si vijon:

Skender Rexhepi-Zejd – Qyteti i Shkupit
Arsim Dalipi – Strugë
Fatmir Dehari – Kërçovë
Ilirjan Fetahu – Dibër
Skender Isufi – Haraçinë
Suat Shaqiri – Çashkë
Ejup Abazi – Studeniçan
Erkan Arifi – Likovë
Bajram Rexhepi – Tetovë
Valbon Limani – Gostivar
Bujar Osmani – Çair
Nazim Taipi – Tearcë
Blerant Ramadani – Saraj
Emir Sulejmani – Zhelinë
Isen Shabani – Vrapçisht
Enver Pajaziti – Bërvenicë (i mbështetur nga Besëlidhja)

Ahmeti njoftoi se ditët në vijim do të finalizohen edhe kandidaturat e mbetura në mënyrë që koalicioni të paraqitet i kompletuar para qytetarëve në fushatën zgjedhore.

“Bashkë do të fitojmë! Bashkë do t’i themi stop të keqes! Bashkë për dinjitetin shqiptar!”, shkroi ndër të tjera Ahmeti, duke përcjellë mesazhin e mobilizimit të përgjithshëm të shqiptarëve për të përkrahur projektin e përbashkët politik.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 19 tetor, ndërsa raundi i dytë do të zhvillohet më 2 nëntor.