Fenerbahce është e interesuar të sjellë Andriy Lunin në Stamboll dhe, sipas raportimeve, ka depozituar një ofertë zyrtare për portierin ukrainas.

Sipas gazetarit Samet Çayir, klubi turk ka në plan të kryejë edhe disa lëvizje gjatë këtij afati kalimtar, dhe një nga pozicionet ku duan përforcim është ai i portierit.

Lunin është identifikuar si objektivi kryesor dhe oferta zyrtare për të përfshin gjithashtu edhe Dominik Livakovic, i cili do të përfshihej si pjesë e marrëveshjes duke kaluar në drejtim të kundërt.

Megjithatë, Real Madrid nuk ka interes për Livakovic dhe heziton të ndahet me Lunin, i cili ka treguar se është më se i aftë të mbulojë rolin e zëvendësuesit, veçanërisht në mungesë të Thibaut Courtois.

Lunin ka rinovuar kontratën me klubin madrilen deri në vitin 2028, por në marrëveshje është përfshirë një klauzolë lirimi prej 25 milionë euro.

Në sezonin 2023/2024, Lunin pati një rol kyç për Real Madridin, duke zëvendësuar Courtoisin e dëmtuar për pjesën më të madhe të sezonit.

Nën drejtimin e trajnerit Carlo Ancelotti, ai zhvilloi 21 ndeshje në La Liga, ku regjistroi 10 porta të paprekura, duke fituar besimin e trajnerit që e aktivizoi rregullisht dhe e ndihmoi ekipin të fitonte si titullin e La Ligës, ashtu edhe Ligën e Kampionëve.