Fjalimi i Zelenskyt në Ditën e Pavarësisë: Ukraina do të luftojë derisa të arrihet një paqe e drejtë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në një fjalim drejtuar kombit me rastin e Ditës së Pavarësisë, deklaroi se Ukraina do të vazhdojë luftën për liri deri në arritjen e një paqeje të drejtë.
“Na duhet një paqe e drejtë, një paqe ku e ardhmja jonë të vendoset vetëm prej nesh,” tha Zelensky, duke theksuar se Ukraina do të kundërpërgjigjet ndaj Rusisë “derisa thirrjet tona për paqe të dëgjohen”. Ai shtoi: “Ukraina ende nuk ka fituar, por sigurisht nuk ka humbur.”
Deklaratat e tij erdhën pas njoftimeve nga Moska se Ukraina kishte sulmuar me dron objekte të energjisë në Rusi, duke shkaktuar një zjarr në termocentralin bërthamor në rajonin e Kurskut.
Sipas autoriteteve ruse, zjarri u shua shpejt, pa lëndime, ndërsa një transformator u dëmtua, por nivelet e radiacionit mbetën normale.
Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) njoftoi se ishte në dijeni të incidentit dhe ritheksoi thirrjen që të gjitha palët të tregojnë përmbajtje maksimale rreth objekteve bërthamore.
Ndërkohë, në Kiev u zhvilluan ceremonitë për Ditën e Pavarësisë, në përkujtim të shpalljes së pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991.
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, mori pjesë në aktivitetet zyrtare dhe u shpreh se vendi i tij “do të qëndrojë gjithmonë krah për krah me Ukrainën”. Ai premtoi dërgesa me dronë, municione dhe mjete të blinduara me vlerë mbi 1 miliard dollarë kanadezë, që pritet të mbërrijnë në Ukrainë që në shtator.