Gazetari Furkan Saliu ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj paralajmërimit të kryetarit të Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, për padi ndaj një gazetari. Me ironi, Saliu shkruan se tashmë e ka të qartë arsyen e padive të tilla informon Tetovasot.

Sipas tij, kryetari Sejdiu e kupton gazetarinë në stilin e një videoje të publikuar, ku shtruhen pyetje të tilla:

“Jeni shumë i bukur, si arrini ta ruani këtë bukuri dhe vijën e trupit edhe pse jeni të angazhuar 24 orë duke punuar për Zhelinën?”

“Në fund të mandatit të ardhshëm, a do të duket më bukur Zhelina apo ju?”

“Zhelina tanimë është komuna më e bukur në Maqedoni. Deri në fund të mandatit të ardhshëm, a do të bëhet komuna më e bukur në Maqedoni?”

“Keq, shumë keq. Djali i ri ka kaq shumë mllef ndaj fjalës së lirë”, ka shkruar Saliu, duke i kujtuar kreut të komunës se “mediat e sollën në pushtet”. Ai rikujton debatin në emisionin Click Plus, të mbajtur në oborr të një shkolle, si momentin kur qytetarët e njohën Sejdiun.