Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, njoftoi sot se zhvilloi një takim miqësor me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku u diskutuan zhvillimet politike në rajon dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve.

“Kisha kënaqësinë të realizoj një takim miqësor me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti. Takimi u nderua me praninë e z. Glauk Konjufca, znj. Albulena Haxhiu, si dhe z. Avni Dehari”, tha Gashi.

Ai shtoi se gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve të të dyja vendeve dhe përkushtimi për avancimin e projekteve strategjike që i lidhin shtetet.

“Diskutuam për zhvillimet politike në rajon, çështjet me interes të përbashkët dhe theksuam rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve të dy vendeve tona. Gjithashtu, nënvizuam përkushtimin për avancimin e projekteve strategjike që i lidhin shtetet tona”, deklaroi kryetari i Kuvendit.

Ai gjithashtu falënderoi Kryeministrin Kurti për mikpritjen dhe atmosferën konstruktive gjatë takimit.

“E falënderova Kryeministrin Kurti për mikpritjen e ngrohtë dhe atmosferën konstruktive që e karakterizoi këtë takim”, përfundoi Gashi.