“Vajza kishte lidhje direkte me zyrën e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, por gjithashtu edhe me zyrën e kryeministrit të Kosovës”, ka thënë analisti ushtarak nga Kroacia, Ivica Mandiç, duke folur për skandalin që ka shpërthyer atje rreth lidhjes romantike që kishte një pilot kroat me një serbe në Kosovë, e cila dyshohet për agjente serbe.

Gazeta kroate Vevernji List, që po e publikon në pjesë skandalin, ka shkruar për një agjente me inicialet A.M., e cila, “ishte e rekrutuar nga shërbimet serbe”, shërbime që inkurajonin punësimin e serbëve në organizata ndërkombëtare në Kosovë.

“Ata i përdornin për të siguruar informacione dhe për të ndërhyrë në drejtësi, veçanërisht kundër ish anëtarëve të UÇK-së”, shkruan gazetarja kroate Sandra Veljkoviç.

Shkrimi i gazetës kroate gjithashtu se e dyshuara është sociologe dhe se ajo kishte një lidhje me pilotin kroat me të cilin kanë shkëmbyer edhe informacione të ndjeshme.

“A.M., partnerja e pilotit kroat, ishte e lidhur me organizata ndërkombëtare në Kosovë, siç janë EULEX dhe UNMIK. Sipas burimeve, ajo ka mbajtur kontakte me individë nga jeta politike dhe ka bartur informacione te liderët e Listës Serbe”, shkruan gazeta.