Gonxhja, Nëna dhe Shenjtëresha
(Në 115-vjetorin e lindjes së Gonxhe Bojaxhiut- Nënës Tereze)

Nënë Tereza na mëson se një komb i vogël mund t’i dhurojë botës një dhuratë të madhe,
ashtu si një Gonxhe e vogël mund të bëhet kurorë e njerëzimit. Prandaj, sot, duke përulur
zemrat tona, shpallim se drita e saj nuk ka perënduar: ajo vazhdon të ndriçojë nga Shkupi
në Kalkutë, nga gjiri i popullit tonë deri te mbarë njerëzimi.

Nga Prof.dr Skender ASANI
Në kalendarin e shpirtit tonë kombëtar dhe të kujtesës universale, dita e 26 gushtit nuk është
thjesht një përvjetor. Ajo është një dritare nga e cila shohim se si një Gonxhe e vogël e Shkupit,
u shndërrua në Nënë të botës dhe më pas në Shenjtëreshë të njerëzimit. Ky trinomi Gonxhe,
Nënë Terezë, Shën Nënë Terezë nuk është vetëm një rrugëtim personal, por një testament
historik dhe shpirtëror.
Gonxhja, bija e Bojaxhinjve, u lind në një qytet që mban në gjirin e vet shtresa të lashta ilire
(dardane), arbërore e shqiptare. Ajo mbeti gjithmonë e lidhur me trungun e vet, me kulturën dhe
gjuhën që i dhanë formë shpirtit të saj. Ky emër i brishtë, i njohur vetëm për të afërmit dhe
bashkëqytetarët, ishte fara që do të rritej për t’u bërë pemë e madhe e dashurisë.
Nënë Tereza, bija e Shkupit, doli nga kufijtë e qytetit të saj dhe u bë nënë për ata që nuk kishin
nënë, strehë për ata që nuk kishin shtëpi, zë për ata që nuk kishin zë. Në Kalkutë dhe anembanë
botës ajo tregoi se humanizmi nuk është teori, por akt i përditshëm. Ajo ngriti themele të
dashurisë mbi dhembjen, duke u bërë simbol i shpresës për të gjithë të harruarit e njerëzimit.
Shën Nënë Tereza është kulmi i këtij udhëtimi. E shpallur shenjtë nga Kisha Katolike, ajo u
kthye në ikonë të përbotshme, në ndërgjegje të gjallë të shekullit XX. Shenjtëria e saj nuk është
vetëm titull kishtar, por dëshmi se dashuria, kur jetohet me përulësi, shndërrohet në përjetësi.
Sot, në 115-vjetorin e lindjes së Gonxhes, Shkupi dhe gjithë kombi shqiptar kanë arsye të ndihen
të bekuar. Nga rrugicat e këtij qyteti lindi një dritë që nuk u shua kurrë. Ky jubile nuk është

vetëm përkujtim, por thirrje për të ndjekur gjurmët e saj: të shndërrojmë dashurinë në veprim,
mirësinë në ligjërim dhe shpresën në realitet.
Nënë Tereza na mëson se një komb i vogël mund t’i dhurojë botës një dhuratë të madhe, ashtu si
një Gonxhe e vogël mund të bëhet kurorë e njerëzimit. Prandaj, sot, duke përulur zemrat tona,
shpallim se drita e saj nuk ka perënduar: ajo vazhdon të ndriçojë nga Shkupi në Kalkutë, nga gjiri
i popullit tonë deri te mbarë njerëzimi.
Në këtë përvjetor, për ne shqiptarët mesazhi i saj është edhe më i qartë: të jemi të bashkuar e të
qëndrojmë pranë njëri-tjetrit, sepse vetëm kështu mund të përballojmë sfidat e kohës. Ashtu siç
Nënë Tereza u shkroi disa herë shqiptarëve në momentet më të vështira, duke i ftuar që të mos e
humbin shpresën dhe të jenë të bashkuar, edhe sot fjalët e saj janë udhëzues. Ajo na porositi se
vetëm në unitet ka forcë, vetëm në dashuri ka shpresë, dhe vetëm në solidaritet mund të shërohen
plagët e historisë. Ky është testamenti i saj për ne: që dashurinë ta kthejmë në urë bashkimi dhe
të mos lejojmë që ndasitë të errësojnë dritën e kombit tonë.
Në këto momente kur po krijohet një konfiguracion i ri i hartës botërore, historia na kujton se
popujt e vegjël shpesh kanë qenë viktimë e përpjekjeve për t’u asgjësuar, ashtu siç ka ndodhur
me shumë kombe gjatë shekujve. Sot, edhe populli shqiptar po sfidohet nga një tendencë e tillë,
që kërkon të minojë qenien e tij kombëtare. Pikërisht në këto çaste, më shumë se kurrë, na
nevojiten miq që të jenë pranë popullit të Nënë Terezës, sepse vlera e saj universale është dëshmi
e gjallë se ky popull nuk është vetëm për vete, por është pjesë e pandashme e familjes së madhe
njerëzore.
Lavdi Zotit që e dërgoi ndër ne.
Bekim kombit që e rriti.
Paqe botës që e njohu si Nënë.
Shkup, 25 gusht 2025