Gruaja rrihet brutalisht në Shkup: Burri i hodhi arkë me shishe qelqi mbi kokë, ajo filloi të gjakoset rëndë

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka hapur procedurë kundër një personi për të cilin ekziston dyshim i bazuar se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, sipas nenit 131 të Kodit Penal.
Sipas prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 23 gusht pasdite, para një objekti hotelierik në lagjen Avtokomandë të Shkupit. Gruaja, e cila kishte mosmarrëveshje të mëparshme personale me të dyshuarin, kishte ardhur për t’u takuar me të, pas çka ai filloi ta ofendonte rëndë. Në një moment, i dyshuari mori një arkë plastike të mbushur me shishe qelqi dhe e goditi në kokë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Viktima filloi të gjakoset rëndë, por arriti të thërrasë policinë dhe u transportua me urgjencë në spital, ku mjekët konstatuan lëndime serioze.
Prokuroria njoftoi se, për shkak të mënyrës së kryerjes së veprës dhe mundësisë që viktima të ekspozohet sërish ndaj rrezikut, nga gjykatësi i procedurës paraprake është kërkuar që i dyshuari të marrë disa masa kujdesi. Ndër to janë: ndalim për t’iu afruar apo kontaktuar me viktimën, konfiskim i përkohshëm i pasaportës dhe paraqitje e rregullt para një zyrtari kompetent.
Rasti do të dokumentohet më tej, pas së cilës do të vijojnë procedurat e duhura ligjore.