Autori i vrasjes së 14-vjeçarit Erald Xhejo në Maliq publikonte foto në rrjete sociale me armë zjarri dhe duke pirë cigare. Këto postime i shoqëronte edhe me shkrime kërcënuese.

Në një fotot që qarkullon nëpër media 14-vjeçari shfaqet duke pirë cigare, krahas së cilës shkruan “Por shfaqem kur ty s’ta pret mendja”.

“Mos më kërko un nuk vi”, shkruan në foton tjetër ku në dorë mban një armë zjarri tip pushkë.

Ngjarja e rëndë u shënua pasditen e së enjtes në ambientet e jashtme të një lokali në fshatin Pirg. Dy të rinjtë dyshohet se kanë pasur një sherr të mëparshëm dhe ishin takuar për t’u sqaruar.

Në vend të sqarimit përfunduan në përleshje fizike, ku u përdor fatalisht edhe arma e ftohtë. Autori mbeti i plagosur, por jo me mjet prerës.

Ai dyshohet të ketë shkuar i armatosur me thikë në lokal dhe pas mjekimit në spital u arrestua.

Në polici u shoqëruan edhe persona të tjerë që kanë dijeni për ngjarjen. Policia ka sekuestruar telefonat e dy të miturve për të zbardhur shkakun e mundshëm.