Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka shpallur sot kandidaturën e tij për kryetar të Komunës së Çairit.

“Çairi është thirrja të cilën nuk mundem ta refuzoj! Çairi është obligimi të cilin me përulësi do ta plotësoj! Për Çairin kam pranuar ta lë Qeverinë dhe të kthehem në mesin e njerëzve të mi. Besoj dhe jam i sigurt se kam bërë zgjedhjen e drejtë dhe të duhur,” ka deklaruar Mexhiti.

Ai theksoi se Çairit i duhet një kryetar që është gjithmonë pranë qytetarëve, për t’u ofruar ndihmë dhe mbështetje, duke shtuar: “Njerëzit e Çairit meritojnë kryetar i cili ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë në mesin e tyre.”

Mexhiti e përmbylli shpalljen e kandidaturës me mesazhin: “Fitore. Për Çairin. Na qoftë për hajr!”