Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli nuk ka për qëllim të aneksojë apo të pushtojë Gazën.

Në një deklaratë të dhënë sot, lideri izraelit deklaroi se vendi i tij do të ndërmarrë një operacion ushtarak të kufizuar dhe të përcaktuar në kohë, sapo të marrë miratimin nga kabineti qeveritar gjatë mbrëmjes së sotme.

“Kjo nuk do të jetë një pushtim i Gazës. Operacioni do të jetë i përkohshëm dhe i kufizuar në objektiva të caktuara ushtarake,” deklaroi ai.

Sipas tij, pas përfundimit të operacionit, kontrolli mbi Gazën do t’i kalojë një organi ndërkombëtar, i cili nuk do të përfshijë as Hamasin, e as Autoritetin Palestinez – dy prej aktorëve kryesorë në terren që tradicionalisht kanë pasur rol në administrimin e këtij territori.

Ky qëndrim shënon një zhvillim të rëndësishëm në politikën izraelite ndaj Gazës dhe vjen në një kohë tensioni të lartë në rajon.

Mbetet ende e paqartë se cili do të jetë ky trup ndërkombëtar dhe cilat vende ose organizata do të marrin pjesë në të.