Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance tha se Rusia ka bërë “lëshime të rëndësishme” drejt një marrëveshjeje të negociuar në luftën e saj me Ukrainën dhe shprehu besimin se po bëhet përparim, pavarësisht mungesës së rezultateve të dukshme drejt përfundimit të konfliktit.
Duke folur në emisionin “Meet the Press with Kristen Welker” të NBC-së, Vance deklaroi se presidenti rus Vladimir Putin ka bërë disa lëshime, përfshirë faktin që Ukraina do të marrë garanci sigurie për të mbrojtur vendin nga agresioni i ardhshëm rus.
“Mendoj se rusët i kanë bërë lëshime të rëndësishme Presidentit Trump për herë të parë në tre vjet e gjysmë të këtij konflikti,” tha Vance.
“Ata e kanë pranuar se nuk do të jenë në gjendje të vendosin një regjim kukull në Kiev, një kërkesë e madhe në fillim. Po ashtu, kanë pranuar se do të ketë garanci sigurie për integritetin territorial të Ukrainës.”
Ndërkaq, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha në një intervistë të transmetuar të dielën se një grup kombesh, përfshirë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duhet të jenë garantues të sigurisë së Ukrainës.