Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut mbështet vendimin e Prokurorisë Themelore Publike në Kumanovë për të hapur procedurë lidhur me thirrjet nacionaliste dhe ofenduese gjatë ndeshjes së basketbollit mes ekipeve kombëtare të Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, të zhvilluar më 2 gusht në Kumanovë informon Tetovasot.
Këto thirrje nxisin urrejtje dhe intolerancë bazuar në përkatësi etnike, sipas Neni 319 të Kodit Penal. Fatkeqësisht, tribunat sportive vazhdojnë të jenë hapësira ku përhapen mesazhe diskriminuese dhe ofenduese, të cilat kërcënojnë kohezionin ndëretnik dhe rrezikojnë përçarje në shoqëri.
Në ndeshje ishin të pranishëm zyrtarë të lartë, përfshirë Kryeministrin Hristijan Mickoski, Ministrin e Brendshëm Pançe Toshkovski, Zëvendëskryeministrin Ivan Stoiljkovic, si dhe Kryetarin e Bashkisë së Kumanovës Maksim Dimitrievski, por nuk pati reagim ndaj thirrjeve ofenduese. Komiteti i Helsinkit thekson se indiferenca e politikanëve ndaj gjuhës së urrejtjes ndihmon në normalizimin e saj dhe ushqen përçarjet dhe tensionet.
Komiteti monitoron dhe kundërshton gjuhën e urrejtjes, e cila është shkaktar kryesor i krimeve të urrejtjes, me përkatësinë etnike si bazë më të zakonshme. Autorët dhe viktimat më të shumta janë të rinjtë. Për këtë arsye, Komiteti kërkon dënim publik dhe veprime konkrete nga institucionet kompetente për të ndaluar këtë fenomen.
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dënon përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe bën thirrje për angazhim të përbashkët të aktorëve politikë, sportivë dhe shoqërorë për të promovuar tolerancën, dialogun dhe respektin ndaj diversitetit. Sporti duhet të jetë një hapësirë për bashkim, jo përçarje dhe urrejtje. Komiteti do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet lidhur me këtë çështje.TS