Juventusi ka objektiv t’i fitojë 100 milionë brenda 20 ditësh – katër largime për të zhbllokuar përforcimet

Të shesësh për të blerë. Por, edhe të shesësh pa nxitim dhe sipas kushteve të tua – kushte që i vendos Juventusi pa u kapluar nga ethet e një merkatoje largimesh që, sidoqoftë, bëhet vendimtare për operacionet hyrëse. Sidomos kur koha fillon të shtrëngohet.
Kanë mbetur njëzet ditë deri në fillimin e kampionatit – më 24 gusht, debutimi i Juves në ‘Allianz Stadium’ ndaj Parmës dhe ndonëse Comolli nuk është tipi që ndikohet nga ankthi i një kalendari që përpin ditët, mbetet fakt që koha nuk do të luajë edhe për shumë gjatë në favor të Zonjës së Vjetër.
Sigurisht, afati kalimtar përfundon më 1 shtator (gongu bie në orën 20:00), por në mënyrë ideale përforcimet që i nevojiten Igor Tudorit do të duhej të mbërrinin në Continassa përpara ndeshjes së parë të sezonit. Të paktën ata që janë menduar si titullarë; për rastet e minutës së fundit, ka gjithmonë kohë.
Njëzet ditë, pra, për të arritur kuotën 100 milionë euro gjithsej, një milion më shumë a më pak, dhe natyrisht jo të gjitha menjëherë dhe, mbi të gjitha, për të nisur lëvizjen vendimtare për ambiciet e Juventusit.
100 milionë euro në këtë periudhë është një objektiv i arritshëm për Zonjën e Vjetër, nëse do të arrinte të realizonte të gjitha këto shitje me çmimet që kërkon: Timothy Weah për 18 milionë euro (është gati, mungon vetëm zyrtarizimi i kalimit te Marseille), Fabio Miretti për 15 milionë euro (Napoli është në pritje), Duas Vlahovic për 25 milionë dhe Douglas Luiz për 40 milionë euro.
Llogaritja bëhet lehtë. Dhe kjo shumë pritet të rritet nëse ndodhin edhe largime të tjera, si ajo e Arthur Melo, apo lojtarë me kontrata që përfundojnë në vitin 2026, si Daniele Rugani, Tiago Djalo, Filip Kostic dhe Weston McKennie.
⚪️⚫️ pic.twitter.com/UZ8xBNMVaG
— JuventusFC (@juventusfcen) August 5, 2025
Për momentin, lista e largimeve ku përmenden vetëm Alberto Costa dhe Samuel Mbangula nuk ka qenë e mjaftueshme për të plotësuar të gjitha nevojat hyrëse.
Zgjerimi i kësaj liste do të thotë rritje e numrit të përforcimeve: Randal Kolo Muani për të përmbyllur çështjen e sulmit, Mortel Hjulmand, Matt O’Riley apo ndonjë ‘mister X’ tjetër me cilësi për mesfushën (pavarësisht kthimit të mundshëm të Teun Koopmeiners në qendër), si dhe një zgjidhje shtesë apo mundësi për mbrojtjen.