Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdoi me procesin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve që do të marrin pjesë në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

Në mbledhjen e së shtunës, KQZ-ja mori vendime të veçanta për certifikimin grupit të tretë me 39 subjekte politike, prej të cilave 25 iniciativa qytetare dhe 14 kandidatë të pavarur, për pjesëmarrje në këto zgjedhje.

Në rend ditë për certifikim ishte edhe inciativa qytetare “Lidhja e Prishtinës” me 56 kandidatë për Kuvendin Komunal në Prishtinë, por nuk ka marrë së paku 8 vota për për shkak se është kundërshtuar nga përfaqësuesi i LDK-së Sami Hamiti në KQZ. Ai ka dhënë vërejtje për ngjashëmërinë e këtij emri me atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Unë kërkoj që kjo mos të kalojë sot, të kërkohet nga ajo iniciativë qytetare në bazë të shkresës që ia keni dërguar që ajo të ndërrojë emërtimin, sepse është sinonim i pastërt i brendit dhe të asaj që ka pasur LDK-ja. Gjithçka është identike me atë të 2021, që nuk e kemi certifikuar”, tha ai.

Ndërkaq, rekomandimi për subjektin tjetër “Lëvizja për bashkimin e shqipëtarëve” u tërhoq pas vërejtjeve që të rishikohet gabimi gjuhësor në emërtim, për shkak se një “ë” është e tepër tek “shqipëtarëve”.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 380 kandidatë, prej të cilëve 25 kandiatë për Kryetarë të Komunave dhe 355 për anëtarë të Kuvendeve Komunale.