Në kohën kur vendi synon integrimin në Bashkimin Europian dhe lavdërohet për standarde demokratike, shifrat flasin për një realitet të hidhur që vazhdon të përjashtojë shqiptarët nga institucionet më jetike të shtetit. Rasti më i fundit është në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Armatën e Maqedonisë së Veriut, ku – sipas të dhënave – 71 të punësuar janë maqedonas dhe vetëm 1 është shqiptar informon Tetovasot.

Ky disproporcion nuk është as aksidental dhe as i vetmi. Ai është vazhdimësi e një politike të heshtur diskriminuese, që e ka parë shqiptarin për dekada me dyshim dhe përjashtim, posaçërisht në sektorë si ushtria, policia, inteligjenca apo diplomacia. Dhe kjo nuk ndodh në vitin 2001 – por sot, në vitin 2025.

Nuk ka integrim europian me përjashtim sistematik të një populli. Nuk ka barazi ku një e katërta e popullsisë përfaqësohet me më pak se 1% në institucionet e mbrojtjes. Dhe nuk ka dinjitet për shqiptarët në një shtet që në heshtje ua bllokon uniformën, zërin dhe pjesëmarrjen në siguri.

Heshtja e pushtetit aktual është turpi më i madh

Koalicioni VLEN, që sot është pjesë e qeverisë, ka zgjedhur të heshtë. Ka zgjedhur të mos e ngrejë zërin për këtë diskriminim. Nuk ka reagim, nuk ka kërkesë për sqarim, nuk ka presion institucional. As edhe një deklaratë simbolike.
Mos ndoshta për të ruajtur “bashkëqeverisjen”, po i mbyllin sytë edhe para padrejtësive që dikur i denonconin me zë të lartë?

Ironia më e madhe është se gjithmonë fajtori kërkohet te BDI-ja, edhe tani që është në opozitë. Ndërsa ata që sot kanë zyrat dhe përgjegjësinë, kanë frikë të flasin – sepse mund të humbasin vendin në tavolinën e pushtetit.

A është shqiptari qytetar i barabartë në këtë shtet?
Kur ftohet të votojë – po.
Kur paguan taksa – po.
Kur rrezikon të largohet nga vendi – po.
Por kur bëhet fjalë për punësim në ushtri, polici apo diplomaci – jo.

Përfaqësimi nuk është dhuratë. Është e drejtë. Dhe një shtet që nuk garanton këtë të drejtë, nuk është as demokratik, as europian.

Në fund:
71 maqedonas – 1 shqiptar. Kjo nuk është statistikë. Është grusht në fytyrë për çdo parim të barazisë.Tetovasot