Urim Saliu

Ajo që do të duhej të ishte një ndeshje e zakonshme basketbolli, në ditën e festës shtetërore të 2 Gushtit për maqedonasit, u kthye në një skenë të frikshme urrejtjeje ndaj shqiptarëve. Koret për “dhoma gazi” dhe thirrjet për “vdekje shqiptarëve” u dëgjuan haptazi – në praninë e krerëve të qeverisë dhe në qytetin e ZNAM-it të Dimitrievskit.

Kjo nuk është më një rast sporadik. Është shfaqje e qartë, publike dhe pa ndëshkim e një urrejtjeje që ka marrë përmasa të frikshme. Dhe është më e rëndë fakti që kjo ndodhi para syve të autoriteteve më të larta të shtetit – të cilët heshtën. Askush nuk kërkoi ndaljen e menjëhershme të ndeshjes. Askush nuk reagoi në momentin kur u përdhos jo vetëm sporti, por edhe vetë jetët dhe dinjiteti i qytetarëve shqiptarë.

Nga partitë shqiptare kemi vetëm reagime sterile në formë komunikatash, të motivuara më shumë për konsum politik sesa për të kërkuar drejtësi reale. Opozita shqiptare, në vend që të shprehet vetëm përmes fjalëve, duhet të organizojë protesta të qarta dhe të vendosura për t’i ndalur këto zëra të urrejtjes. Kurse VLEN – pjesë e Qeverisë – nuk mund të qëndrojë si spektator, sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Nëse janë pjesë e pushtetit, atëherë le të përdorin fuqinë që pretendojnë se kanë për të kërkuar ndëshkim maksimal. Përndryshe, heshtja e tyre është bashkëfajësi.

Ngjarja ndodhi në një kohë kur mijëra mërgimtarë janë kthyer për pushime në vendlindje – për të parë me sytë e tyre çfarë po ndodh në të vërtetë. Dhe ajo që po shohin nuk është integrim, bashkëjetesë apo barazi. Është një realitet i dhimbshëm: urrejtja po institucionalizohet dhe politika po i lan trurin popullit me premtime boshe, ndërkohë që në stadiume kërkohet hapur vdekja jonë kolektive.