Latif Arifi

Sjellja e turpshme dhe e pajustifikueshme e një grupi tifozësh gjatë ndeshjes së fundit, që lëshuan thirrje raciste si “shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “dhoma gazi për shqiptarët”, është pasojë direkte e një klime të toleruar institucionalisht. Kjo nuk është thjesht një sjellje e rastësishme e disa individëve të papërgjegjshëm, kjo është rezultat i një kulture albanofobie që për vite me radhë është injoruar, toleruar dhe heshtur nga shteti dhe strukturat e tij.
Sot papritmas janë zgjuar patriotë të rremë nga BDI-ja dhe patericat e saj. Ata që për dy dekada qenë pjesë e qeverive të njëpasnjëshme që nuk bënë asgjë për të sanksionuar gjuhën e urrejtjes dhe sulmet ndaj shqiptarëve. Të njëjtët që përballë thirrjeve të tilla, kur ishin në pushtet, nuk patën guximin të hapnin gojën, jo se nuk i dëgjonin, por se nuk donin të rrezikonin kolltukun dhe privilegjet. Dhe sot veshin maskën e patriotit për ta përfituar politikisht reagimin.
Për dallim prej tyre, Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, dhe lideri Izet Mexhiti, reaguan menjëherë e me qartësi. Kjo është ajo që presim nga përfaqësuesit tanë, zë i fuqishëm kundër çdo forme racizmi dhe urrejtjeje.
Për fat të mirë, edhe Federata tashmë është distancuar nga këto thirrje, dhe besoj se edhe kryeministri do të marrë një qëndrim të qartë, nëse nuk e ka bërë tashmë.
Por le ta themi qartë, nuk janë vetëm huliganët fajtorë. Faji është edhe te një sistem i tërë që me heshtjen e tij e ka mbështetur këtë urrejtje. Policia që s’ka vepruar, gjykatat që s’kanë dënuar, prokuroria që s’ka ngritur padi, të gjithë janë pjesë e problemit. Prandaj kjo nuk është vetëm një çështje sporti,është një pasqyrë e shoqërisë dhe e politikës që kemi toleruar për shumë gjatë.