Reperi i njohur amerikan, Lil Nas X, është deklaruar i pafajshëm në gjykatën e Los Angeles, pasi u përball me katër akuza për krime të rënda, përfshirë plagosjen e një oficeri policie dhe rezistencën ndaj arrestimit.

Artisti, emri i vërtetë i të cilit është Montero Lamar Hill, rrezikohet deri në pesë vite burg nëse shpallet fajtor.

Sipas autoriteteve, 26-vjeçari u arrestua javën e kaluar në Studio City, pasi u raportua se po ecte nudo përgjatë Ventura Boulevard, shkruan DailyMail.


Foto: Screenshot
Kur policia ndërhyri, ai dyshohet se i sulmoi oficerët, duke shkaktuar lëndime tek tre prej tyre.

Lil Nas X më pas u dërgua në spital për një mbidozë të dyshuar, ndërsa më pas kaloi fundjavën në burg. Lirimi i tij me kusht u vendos në shumën 75,000 dollarë (69,300 euro).

Pamjet e publikuara nga TMZ tregojnë reperin duke ecur nëpër rrugë vetëm me të brendshme të bardha dhe çizme kaubojsh, ndërsa më vonë u pa plotësisht lakuriq duke iu afruar makinave që kalonin.

Çizmet e tij të bardha përfunduan madje në shitje në eBay për 10,000 dollarë (rreth 9,240 euro), të ofruara nga një kalimtar.

Ngjarja ka ndodhur pak muaj para se Lil Nas X të publikojë albumin e tij të dytë, Dreamboy.

Reperi, fitues i dy çmimeve Grammy me superhitin Old Town Road, është bërë një nga emrat më të diskutuar të muzikës, si për sukseset e tij ashtu edhe për provokimet artistike që kanë ndezur shpesh debat në publikun amerikan.