Në sezonin e dytë të reality shout, “Love Is Blind UK”, një nga historitë që tërhoqi më shumë vëmendje ishte ajo mes Bardhës, një vajzë me origjinë nga Kosova dhe Jed, një djalë me rrënjë libaneze.
Që në fillim, brenda ‘pod-eve’ (dhomave të veçanta), ata gjetën një lidhje të fortë shpirtërore duke ndarë vlera të ngjashme për familjen, kulturën dhe të ardhmen.
Bardha tregoi historinë e saj të fëmijërisë, kur familja u detyrua të largohej nga lufta në Kosovë, çka e formësoi si një grua të pavarur dhe të fortë. Jed e admiroi këtë forcë dhe dyshja filloi të ndërtonte plane për të ardhmen, duke folur për martesën dhe familjen që ëndërronin të kishin së bashku.
Bardha në “Love Is Blind: UK”
Kur dolën nga ‘pod’-et dhe nisën bashkëjetesën, lidhja e tyre dukej solide, por shpejt u shfaqën shenjat e para të tensionit.
Një moment i vogël, por domethënës, ishte kur Bardha pagoi faturën në një darkë, ndonëse Jed kishte shprehur dëshirën ta bënte këtë gjest.
Bardha dhe Jed
Kjo krijoi një ndjenjë ftohtësie dhe bëri që të dy të reflektonin për rolet në marrëdhënie, me Jed që ndihej i pavlerësuar dhe Bardha që ndjente se liria e saj po shihej si pengesë.
Megjithatë, ata vendosën ta çonin lidhjen deri në altar.
Ditën e dasmës, atmosfera ishte e mbushur me emocione. Jed shprehu dashurinë e tij dhe besimin e plotë për të ardhmen së bashku, por kur erdhi momenti i zotimeve, Bardha mes lotësh tha se nuk ishte e gatshme të martohej atë ditë.
“Nuk është një jo për ty”, u shpreh ajo, “por një jo për momentin. Dua të bëj gjithçka që premtova, por kur të dy të jemi plotësisht gati”.
Vendimi i saj e tronditi Jedin, i cili mbeti i habitur dhe i lënduar, ndërsa Bardha u largua e përlotur, e ngushëlluar nga familja e saj.
Bardha dhe Jed
Reagimet ishin të ndara: disa e kritikuan Bardhën se i tha jo një burri që e donte sinqerisht, ndërsa të tjerë e përgëzuan për maturinë dhe guximin për të mos marrë një vendim të nxituar.
Në fund, nga katër çiftet që mbërritën në altar, tre u martuan, ndërsa vetëm Bardha dhe Jed zgjodhën të mos e bëjnë këtë hap.
Historia e tyre nuk mbaroi aty, pasi Bardha la të hapur mundësinë për një të ardhme së bashku, duke e përkufizuar vendimin e saj jo si fund, por si një shtyrje për kohën e duhur.
Sot, e ardhmja e tyre mbetet e pasigurt, por historia e tyre u bë një nga më të diskutuara të sezonit, duke prekur publikun përmes sinqeritetit, përplasjes mes dashurisë dhe kohës, dhe vendimit të vështirë për të zgjedhur zemrën apo arsyen.