LSDM: Partizim brutal i arsimit para zgjedhjeve – Janeska dhe VMRO-DPMNE e shndërruan Inspektoratin në shtab partiak

Në prag të zgjedhjeve lokale, LSDM akuzon VMRO-DPMNE-në dhe ministren Vesna Janeska për një valë të re partizimi të arsimit, duke pretenduar se Inspektorati Shtetëror i Arsimit është shndërruar në “shtab partiak”. Sipas partisë në pushtet, në këtë institucion po kryhen punësime dhe avancime të paligjshme për kuadro partiake, duke shpallur konkurse jashtë kornizës ligjore dhe duke manipuluar procedurat në dëm të cilësisë së arsimit.
Në vazhdim, reagimi i plotë i LSDM-së:
Në prag të shpalljes së zgjedhjeve lokale, po shohim konkurse masive të paligjshme për punësime dhe avancime vetëm mbi bazë partiake, për të sistemuar kuadrot e VMRO-DPMNE-së.
Inspektorati Shtetëror i Arsimit, nën dirigjimin e Janeska-s, po kthehet në një shtab partiak të VMRO-DPMNE-së.
Sipas informacioneve që na i kanë përcjellë sinjalizues:
Sonja Zashoska, këshilltare në Komunën Gazi Babë nga VMRO-DPMNE, pritet të promovohet si shefe e sektorit për mbikëqyrje inspektuese dhe vlerësim të cilësisë.
Ajo është e njëjta inspektore që mbrojti Bojan Hristovskin nga ANB dhe arsimimin e tij të fituar në mënyrë të paligjshme. A është kjo një shpërblim për të? Dukshëm po.
Më tej, Valerija Anastasova, këshilltare e VMRO-DPMNE-së në komunën Aerodrom, sipas të njëjtave informacione nga sinjalizuesit, do të promovohet si shefe e sektorit për punë profesionale-administrative.
Hristina Jovanoska, inspektore aktuale, do të caktohet ndihmës kryeinspektore.
Jane Nikoloski, gjithashtu kuadër i VMRO-DPMNE-së, do të caktohet ndihmës-shef i sektorit për marrëdhënie me publikun dhe përkthim.
Paralelisht me këtë, është shpallur konkurs publik për punësime të reja në Inspektorat – gjithashtu mbi baza partiake.
Partizimi i arsimit është brutal, në të gjitha nivelet e mundshme dhe me konkurse të paligjshme për punësim.
Vetëm në ditët e fundit, janë shpallur konkurse të paligjshme për gjithsej 123 vende pune – kinse për asistentë arsimorë në shkolla që nuk janë transferuar në qendrat burimore.
Këto konkurse janë të paligjshme sepse, sipas Ligjit për Arsimin e Mesëm, vetëm këto institucione mund të punësojnë asistentë arsimorë.
Paligjshmëritë nuk ndalen këtu:
Intervistat për një pjesë të konkurseve kanë filluar para se të përfundojë afati për aplikim. Procedurat janë koordinuar nga drejtori i “Iskra”-s, Marjan Arsov, nga jashtë shtetit, përmes një grupi privat në Viber.
Kërkojmë:
– Të anulohen menjëherë këto konkurse të turpshme dhe avancime të paligjshme.
– Të shkarkohen të gjithë drejtorët që kanë zbatuar procedura të paligjshme.
– Të ndalen punësimet dhe avancimet partiake.
Kjo është turp për arsimin, turp për institucionet, turp për shtetin. Në vend të cilësisë dhe pavarësisë, po marrim privatizim partiak të institucioneve – në dëm të nxënësve, mësuesve dhe të gjithë qytetarëve.