Mashtrimet telefonike për aksidente të rreme po shtohen – qytetarët e moshuar të tregojnë kujdes dhe t’i raportojnë rastet në polici, apelon Toshkovski

Ndodh të telefonohen nga ndonjë person që paraqitet si inspektor, polic, mjek, gjyqtar etj., qytetarët duhet menjëherë të ndërpresin komunikimin dhe të lajmërohen në MPB. Inspektorët do të shkojnë në vendngjarje dhe do të vazhdojnë me veprimet e duhura për zbardhjen e rastit konkret, tha Toshkovski.
Mashtrimet telefonike me aksidente të rreme gjithnjë e më shpesh kanë në shënjestër qytetarët e moshuar – ata duhet të jenë të kujdesshëm, t’i njohin dhe të mbrohen nga këto raste, porositi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Në një paraqitje në MRT1, ai paralajmëroi qytetarët të tregojnë kujdes dhe që këto mashtrime të shpeshta t’i raportojnë në polici.
“Nëse ndodh ndonjë situatë ku telefonohen nga dikush që prezantohet si inspektor, polic, mjek, gjyqtar e të ngjashëm, në asnjë rast nuk duhet të vazhdojnë komunikimin me të. Mashtruesit duan ta mbajnë viktimën gjatë gjithë kohës në telefon, pa i lënë mundësi ta mbyllë, duke i dhënë vazhdimisht informacione të rreme për të afërmit e tyre”, tha Toshkovski.
Ai u këshilloi qytetarëve që bëhen “shënjestër” e mashtrimeve telefonike që menjëherë të ndërpresin komunikimin dhe të kontaktojnë MPB-në ose numrin unik për raste urgjente 112, që ndodhet në Qendrën për Menaxhim me Kriza.
“Atje do t’i ridrejtojnë në MPB dhe pasi të tregojnë se dyshojnë për mashtrim, ose edhe drejtpërdrejt duke telefonuar në 192 të MPB-së, duhet të informojnë se dyshojnë për një mashtrim të caktuar. Më pas, inspektorët që punojnë në MPB do t’i kontaktojnë, do të shkojnë në vendngjarje dhe do të vazhdojnë me veprimet e duhura për zbardhjen e rastit konkret. Pra, këshilla është që në asnjë mënyrë të mos vazhdohet komunikimi kur dyshohet se bëhet fjalë për mashtrim”, shtoi Toshkovski.