Me mesatare më të lartë se vitin e kaluar, maturantët e përfunduan provimin shtetëror të maturës në afatin e qershorit për vitin shkollor 2024-2025. Një pjesë e madhe e nxënësve i dhanë provimet në amfiteatro dhe salla leksionesh në fakultetet më të afërta dhe nuk u evidentuan shkelje masive të rregullave si në të kaluarën.
Për risitë në mënyrën e organizimit këtë vit dhe për rezultatet e maturës shtetërore, sot konferencë për medie mbajti ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof.Dr.Vesna Janevska, dhe drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Daniella Mihajllovska, të cilat shprehën mirënjohje për të gjithë ata që kontribuan në suksesin e procesit.
„ Për dhënien e provimeve u paraqitën 15.004 maturantë, ndërsa 3% e tyre nuk u paraqitën në provim. Nota mesatare që arritën ata që morën pjesë është 3,69, që paraqet përmirësim të dukshëm krahasuar me vitin e kaluar, e cila ishte 3,26. Te të gjitha lëndët kemi përmirësim të arritjeve dhe mendoj se kjo është rezultat i përgatitjes së mirë të nxënësve dhe i rekomandimeve që u dhamë të gjithë pjesëmarrësve në proces,” theksoi Janevska.
Ministrja informoi se nuk janë evidentuar kopjime si në vitet e kaluara, kur grupe të tëra një mijë apo dy mijë nxënësish, të organizuar kryesisht përmes aplikacioneve të komunikimit dhe duke përdorur pajisje mobile, kishin përgjigje identike.
„ Këtë vit, 172 nxënës u përpoqën të manipulonin sistemin, rrezikuan dhe shtynë përfundimin e arsimit të mesëm. Provimi i radhës fillon të martën, më 12 gusht”, informoi Janevska.
Drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Mihajllovska, informoi se janë paraqitur 507 ankesa në lidhje me rezultatet, ndërsa 75 nxënës i kanë kontrolluar testet.
Mesatarja e suksesit në gjuhën amtare është 3,68, për dallim nga viti i kaluar që ishte 3,37. Rezultati mesatar në gjuhën angleze është rritur nga 3,06 në 3,65. Arritjet në matematikë janë 4,14, nga 3,73 e vitit të kaluar. Nxënësit të cilët i janë nënshtruar provimit të gjuhës frënge arritën rezultat mesatar prej 4,67, më e lartë se 4,47 e vitit të kaluar. Në gjuhën gjermane mesatarja është 4,42, në ndryshim nga qershori i vitit 2024 kur ishte 4,33. Në estetikë mesatarja është 4,93 dhe është më e lartë se 4,63 e vitit të kaluar. Nxënësit në filozofi kanë arritur mesatare prej 3,71.
Janevska dhe Mihajllovska i uruan maturantët që me sukses përfunduan provimet dhe marrin diplomë për vazhdimin e arsimit të lartë ose për përfshirjen në tregun e punës. Të tjerët kanë mundësinë t’i nënshtrohen provimit të gjuhës amtare më 12 gusht dhe gjuhë të huaj, matematikë, estetikë dhe filozofi më 14 gusht. Provimet interne do të mbahen prej më 15 deri më 20 gusht, ndërsa detyrën projektuese duhet ta mbrojnë në periudhën nga 19 deri më 26 gusht.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës