Numri i viktimave në Rripin e Gazës ka arritur në 62.004, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë, që nga fillimi i agresionit izraelit në tetor 2023. Sipas burimeve mjekësore për agjencinë palestineze Wafa, të paktën 156.230 persona janë plagosur.

Që nga rifillimi i luftë nga Izraeli në mars të këtij viti, 10.460 civilë janë vrarë dhe 44.189 të tjerë janë plagosur. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, 27 palestinezë janë vrarë dhe 281 të tjerë janë plagosur ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihma humanitare.

Përpjekjet diplomatike për ndalimin e dhunës po vazhdojnë. Egjipti dhe Katari i kanë paraqitur Izraelit një propozim të ri për armëpushim në Gaza, njoftoi drejtori i shërbimit të informacionit egjiptian, Diaa Rashwan, duke shtuar se “tani topi është në fushën e tyre”.

Rashwan tha se propozimi i ri është përgatitur nga Egjipti dhe Katari bazuar në një plan të fundit të të dërguarit amerikan, Witkoff, dhe se Hamas-i ka dhënë miratimin e tij për këtë propozim.