Memli Krasniqi reagon ashpër për thirrjet në Kumanovë: “Heshtja është miratim, andej dhe këndej kufirit”
Pas ngjarjes së rëndë në Kumanovë, ku gjatë një ndeshjeje basketbolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë u dëgjuan thirrje të urrejtjes si “Vdekje për shqiptarët” dhe “Dhoma gazi për shqiptarët”, ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi informon Tetovasot.
Në një deklaratë të publikuar të dielën, Krasniqi i cilësoi këto thirrje si të papranueshme, të rënda dhe thellësisht të dëmshme për bashkëjetesën në Maqedoninë e Veriut dhe përtej saj.
“Shqiptarët janë komb shtetformues në Maqedoninë e Veriut dhe partnerë vendimtar në rrugën euroatlantike. Gjuha e urrejtjes ndaj tyre nuk është vetëm e rrezikshme, por edhe thellësisht kundër vlerave demokratike e europiane që duhet t’i bashkojnë popujt tanë,” – theksoi Krasniqi.
Ai i bëri thirrje Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të distancohet qartë nga aktet ekstremiste, duke nënvizuar se heshtja e institucioneve barazohet me miratim.
Krasniqi nuk kurseu as kritika ndaj kryeministrit në largim të Kosovës, duke e cilësuar si “kumbara të kësaj qeverie në Shkup” dhe duke e bërë përgjegjës për klimën anti-shqiptare që, sipas tij, po thellohet dita-ditës në Maqedoninë e Veriut.
“Dinjiteti dhe mirëqenia e çdo komuniteti nuk janë të negociueshme. Heshtja përballë gjuhës fashiste është qëndrim – andej dhe këndej kufirit,” – përfundoi Krasniqi, duke shtuar se shqiptarët nuk do të lejojnë më të nëpërkëmben në një shtet ku kanë dhënë shumë.
Reagimi i tij vjen në një kohë kur shoqëria civile, partitë politike shqiptare dhe qytetarë të shumtë kërkojnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë nga autoritetet maqedonase për incidentin e Kumanovës, ku ishin të pranishëm edhe kryeministri Hristijan Mickoski dhe figura të tjera të larta shtetërore – të cilët nuk reaguan ndaj thirrjeve fyese.TS