Kryeministri Hristijan Mickoski sot deklaroi se marrëveshja kolektive e nënshkruar nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, do të thotë rritje e pagave për të punësuarit në institucionet publike për mbrojtje sociale për rreth 20 për qind dhe përmirësim të kushteve për punë.

“Bëhet fjalë për nënshkrimin e një marrëveshjeje kolektive në kuptimin historik të fjalës për të punësuarit në institucionet sociale dhe qendrat për punë sociale në të gjithë vendin. Me këtë, do të kemi një rritje të konsiderueshme të pagave duke filluar nga paga për muajin gusht në periudhën në vijim. Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë po ndërmerr, do të thoja, një hap historik në atë drejtim”, tha Mickoski pas vizitës në Kombinatin Miniero- Energjetik “Manastir” (KME “Manastir”).

Kryeministri theksoi se përveç rritjes, marrëveshja kolektive do të thotë edhe kushte më të mira për punë për të punësuarit në këto institucione.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për rritjen e pagave, të cilat duhet të jenë rreth njëzet përqind, por bëhet fjalë edhe për kushte që do ta përmirësojnë mjedisin e punës së të punësuarve në ato institucione dhe do të nënkuptojnë energji shtesë në kuadër të politikës sociale në Maqedoni si shtet”, tha Mickoski.

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani dhe Sindikata e Punëtorëve në Administratë, Organe Gjyqësore dhe Shoqata Qytetare të Republikës së Maqedonisë (AOGJSH), e përfaqësuar nga kryetari Tërpe Deanoski, si dhe Sindikata e Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK), e përfaqësuar nga kryetari Jakim Nedelkov, nga ana tjetër, më 7 gusht nënshkruan Marrëveshjen Kolektive për të punësuarit në institucionet publike për mbrojtje sociale.