Shkupi aktualisht nuk është gati të bëjë ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga Sofja nëse nuk merr garanci të forta nga Bashkimi Evropian se kjo do të jetë kërkesa e fundit e tillë, thekson Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timcho Mucunski, në një intervistë me revistën politike “Politiko”, dhënë gjatë vizitës së tij në Bruksel.

“Frika jonë është: nëse bëjmë ndryshimet kushtetuese, çfarë do të ndodhë nëse pas gjashtë muajsh Bullgaria do të vijë përsëri me kërkesa që lidhen me historinë, identitetin ose gjuhën?”, tha Mucunski, duke iu referuar procesit të integrimit evropian të vendit.

Ai theksoi se Maqedonia e Veriut është gati dhe tashmë po punon për të gjitha reformat e tjera të nevojshme, sepse ato nuk janë vetëm një kërkesë nga Unioni, por edhe një nevojë e shoqërisë.

“Nëse nesër shtetet anëtare na thonë se duhet të bëjmë më shumë në fushën e sundimit të ligjit ose qeverisjes së mirë – ne e kuptojmë këtë. Dhe jo vetëm që e kuptojmë, por e ndiejmë si detyrimin tonë”, tha Mucunski.

Ai kujtoi se Maqedonia e Veriut e filloi rrugën e saj evropiane së bashku me Kroacinë, por Kroacia është sot anëtare e Shengenit dhe përdor euron, vendi ynë ende nuk ka filluar negociatat e anëtarësimit.

Shefi i diplomacisë shprehu besim se zgjerimi është ende i mundur.

“Dëgjojmë për skepticizëm ndaj zgjerimit. Por Maqedonia e Veriut – nga ana kulturore, sociale dhe politike – është një shoqëri evropiane. Nëse i bëjmë reformat siç duhet, nuk besoj se do të ketë rezistencë të fortë ndaj zgjerimit të rajonit tonë”, theksoi Mucunski.

Përveç temave që lidhen me anëtarësimin në BE, Mucunski foli gjithashtu për mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për Ukrainën, kontributin e saj në NATO dhe përafrimin e saj të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së. Ai gjithashtu vuri në dukje se Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë në rajon që nënshkroi një partneritet sigurie dhe mbrojtjeje me Bashkimin Evropian – madje edhe para Mbretërisë së Bashkuar dhe Kanadasë.