Si çdo verë, kur kalojmë mbrëmjet në ambient të hapur dhe mushkonjat janë më aktive se kurrë, lind e njëjta pyetje: pse disa njerëz kafshohen më shumë se të tjerët? Zakonisht, mbizotërojnë besime popullore, si ai i gjakut “të ëmbël” që tërheq mushkonjat. Por shkenca duket se më në fund ka dhënë një përgjigje, e cila nuk do t’u pëlqejë atyre që janë më shpesh shënjestra e pickimeve.

Një studim i gjerë ndërkombëtar, i publikuar në revistën Global Ecology and Biogeography, ka treguar se mushkonjat nuk kanë preferenca fikse, por sjellja e tyre ushqyese është shumë më fleksibile nga sa mendohej.

Studimi, i udhëhequr nga biologu Konstans Wells i Universitetit të Swansea në Uells, analizoi mbi 15.600 vakte gjaku të mushkonjave duke përdorur teknika molekulare që lejojnë identifikimin e saktë të specieve pritëse. Kështu u krijua një hartë globale e preferencave ushqimore të gjashtë specieve më të rëndësishme nga këndvështrimi shëndetësor.

Një skenar në ndryshim të vazhdueshëm

Mushkonjat përshtaten me mjedisin: temperatura, lagështia, disponueshmëria e pritësve dhe ndryshimet e peizazhit ndikojnë në zgjedhjet e tyre. Ky fleksibilitet e bën të vështirë parashikimin e saktë të viktimave të tyre, por kuptimi i këtyre dinamikave është thelbësor.

Kombinimi i ndryshimeve klimatike dhe urbanizimit po ndryshon shpërndarjen e mushkonjave dhe rrit rrezikun e transmetimit të sëmundjeve infektive si Dengue, Zika dhe malaria.

Ky është studimi i parë që përdor gjerësisht metoda gjenetike për të analizuar sjelljen ushqyese të mushkonjave, duke përfaqësuar një hap të madh përpara në monitorimin global entomologjik. Shkencëtarët theksojnë nevojën për standardizim më të madh të metodave dhe për integrim të dhënash mjedisore më të sakta, në mënyrë që të ndërtohen modele parashikuese më efektive dhe të forcohen strategjitë parandaluese.