Hedhjet nga ajri të ndihmave humanitare vazhduan mbi Rripin e Gazës, teksa uria po përkeqësohet në të gjithë enklavën e rrethuar nën politikat e urisë të Izraelit dhe gjenocidit të vazhdueshëm, raporton Anadolu.

Furnizime të kufizuara të ndihmës u hodhën me parashutë mbi Deir al-Balah në Gazën qendrore, por një paketë u ul pa parashutën e saj, duke u përplasur në tokë ku palestinezët prisnin të marrin ndihmë.

Një grua u pa duke mbledhur miellin e derdhur me duar, veprime që theksuan realitetin e ashpër të jetës së palestinezëve nën rrethimin çnjerëzor izraelit pasi uria po shtrëngon gjithnjë e më tepër të gjithë enklavën.

Së fundmi, Ministria e Shëndetësisë e Gazës raportoi vdekjen e një vajze të re për shkak të urisë dhe kequshqyerjes, teksa bllokada shkatërruese izraelite ka mbytur furnizimet ushqimore dhe mjekësore. Numri i përgjithshëm i vdekjeve nga uria dhe kequshqyerja është rritur në 240, përfshirë 107 fëmijë.

Zyrtarët palestinezë dhe grupet humanitare thonë se metoda e hedhjes së ndihmave humanitare nga ajri është shumë më pak efektive sesa dërgesat tokësore dhe ka shkaktuar kaos, dëme dhe vdekje.

Rrethimi i Izraelit ndaj enklavës, i cili u intensifikua në mars me mbylljen e të gjitha kalimeve, i ka zhytur 2.4 milionë banorët e Gazës në një krizë të thellë humanitare të shënuar nga uria, sëmundjet dhe kolapsi i shërbimeve bazë.

Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, Izraeli ka vazhduar gjenocidin në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë më të paktën 61.800 palestinezë.

Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com