Ministria e Punëve të Brendshme njofton se është parashtruar kallëzim penal për “mashtrim kompjuterik” ndaj 25-vjeçarit me iniciale A.H., pasi i njëjti, sipas Policisë, kishte shitur bileta për koncert që nuk ishte paraparë askund të ndodhte, përcjell TV21. Sipas MPB-së, personi në fjalë nuk ua ka kthyer paratë qytetarëve që kishin blerë bileta.

“Sot (05.08.2025), Sektori kundër Krimeve Kompjuterike pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka parashtruar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Shkup kundër A.H. (25) nga Shkupi për veprën penale “mashtrim kompjuterik”, sipas nenit 251-b të Kodit Penal. A.H., gjatë periudhës nga 04.04.2025 deri më 13.06.2025, në cilësinë e personit përgjegjës të një kompanie që organizon ngjarje muzikore, përmes një faqeje interneti për shitjen e biletave, ka mundësuar blerjen elektronike të biletave për një koncert i cili në të vërtetë nuk ishte planifikuar të mbahej, për të nuk kishte asnjë kontratë apo marrëveshje. Me këtë, ai i ka mashtruar qytetarët që të blejnë bileta për një koncert fiktiv dhe nuk u ka kthyer paratë”, thonë nga MPB.