Fatmir Mexhiti u shkarkua nga posti i drejtorit të Klinikës Universitare për Neurologji të enjten, kanë konfirmuar për INA nga Ministria e Shëndetësisë. Drejtori i ri është profesori, dr. Igor Kuzmanovski.

Kuzmanovski ka lindur në vitin 1972 në Shkup. Është i punësuar në Klinikën për Neurologji që nga viti 1996. Ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin Shtetëror të Shkupit me notë mesatare 9.12, ndërsa provimin specialistik në Neurologji e ka dhënë në vitin 2002. Ka doktoruar në vitin 2016 dhe aktualisht është profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup.

Ka ndryshime edhe në Klinikën Universitare për Kardiologji, ku drejtoreshë e re është emëruar dr. Danica Petkoska Spirova. Ajo është një kardiologe e njohur nën-specialiste, me ekspertizë në ekokardiografi transtorakale dhe transesofageale të avancuar, si dhe në ekosonografi doppler të arterieve karotide.

Ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup në vitin 2007 dhe ka doktoruar në fushën e teknikave invazive për trajtimin e sëmundjes së arteries karotide. Aftësitë e saj i ka përmirësuar në institucionin amë, por edhe gjatë qëndrimeve në qendra kardiologjike të njohura botërore. Që nga viti 2011 është e punësuar në Klinikën për Kardiologji, ku zbaton aftësitë e saj diagnostike dhe terapeutike të avancuara.

Ajo ka një numër të madh publikimesh shkencore në revista me faktor ndikimi të lartë dhe është pjesëmarrëse në studime ndërkombëtare shkencore në fushën e kardiologjisë.