Udhëheqësi famëkeq i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, i cili vdiq në një aksident ajror në verën e vitit 2023, e kishte parashikuar fundin e tij pas grushtit të dështuar kundër komandës ushtarake ruse.

Në një intervistë për median ruse Fontanka, nëna e tij, Violetta Prigozhina, 85 vjeç, tha se djali dukej “i dënuar” kur e pa për herë të fundit, një javë para aksidentit fatal.

“Kur e pyeta nëse e priste vdekjen, ai tha: ‘Sigurisht’,” tregoi ajo.

Prigozhin, themelues i grupit mercenar Wagner, dy muaj para vdekjes kishte nisur një rebelim të shkurtër, duke marrë kontrollin e qytetit Rostov-on-Don dhe duke avancuar drejt Moskës. Edhe pse më pas ndaloi marshimin pas ndërhyrjes së presidentit bjellorus Aleksandër Lukashenko, Perëndimi beson se Prigozhin u vra nga një shpërthim në bord, me urdhër të Vladimir Putinit, si hakmarrje për kryengritjen.

Sipas nënës së tij, ajo kishte tentuar ta bindte të mos marshonte drejt Moskës, duke e paralajmëruar se mbështetja e tij ishte më shumë virtuale sesa reale.

“I thashë: Vetëm njerëzit në internet do të të mbështesin. Askush nuk do të dalë në shesh. Por ai këmbënguli se populli do të ishte me të”, kujton ajo.

Rebelimi i Wagner-it, megjithëse i shkurtër, tronditi elitën ruse. Luftëtarët e tij rrëzuan një helikopter dhe shkatërruan një avion ushtarak, ndërsa në Rostov u pritën si heronj nga banorët lokalë. Por Prigozhin e ndali marshimin, sipas nënës së tij, për të mos shkaktuar më shumë gjakderdhje mes ushtarëve të rregullt rusë.

Pas vdekjes së tij, autoritetet ruse sekuestruan perandorinë e tij të biznesit që shtrihej nga minierat në Afrikë te kompanitë e ushqimit në Rusi, ndërsa Wagner-i u integrua në strukturat shtetërore ruse me emrin e ri “Africa Corps”.

Në intervistë, Violetta Prigozhina tha se ende nuk ka marrë asnjë shpjegim zyrtar për vdekjen e të birit. Ajo, e cila drejton një galeri arti pro-luftës në Shën Petersburg, tha se vazhdon të përkujtojë figurën e tij nëpër ekspozita, përfshirë një portret të Prigozhinit në Ukrainë që është aktualisht në ekspozim.