Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka deklaruar se janë duke u zhvilluar bisedime me disa vende për pranimin e palestinezëve të zhvendosur nga lufta në Gaza. Vendet e përfshira janë Sudani i Jugut, Somaliland, Etiopia, Libia dhe Indonezia, ka thënë për CNN një zyrtar i lartë izraelit. Në këmbim të pranimit të një pjese të popullsisë së Gazës, prej mbi dy milionë banorësh, ai theksoi se këto vende kërkojnë “kompensim të konsiderueshëm financiar dhe ndërkombëtar”.
Të mërkurën, Sudani i Jugut e hodhi poshtë raportin e Associated Press se është në bisedime për zhvendosjen e palestinezëve, duke thënë në një deklaratë se raportimet janë “të pabazuara dhe nuk pasqyrojnë qëndrimin zyrtar të shtetit”. Më herët këtë vit, edhe Somaliland tha se nuk ka pasur bisedime të tilla. Ndërkohë, javën e kaluar, Indonezia njoftoi se është e gatshme të pranojë 2.000 palestinezë nga Gaza për mjekim, por theksoi se ata do të kthehen në Gaza sapo të shërohen. Nuk është e qartë sa të avancuara janë këto bisedime dhe nëse ka gjasa që të realizohen.
Netanjahu kurrë nuk ka paraqitur një vizion të detajuar për të ardhmen e Gazës pas luftës, por ka mbështetur vazhdimisht idenë e zhvendosjes së palestinezëve të zhvendosur në vende të tjera, sidomos pasi presidenti Donald Trump e propozoi këtë në fillim të vitit. Edhe pse Trump duket se është ftohur ndaj idesë, autoritetet izraelite e kanë përqafuar.
Në një intervistë të publikuar të martën, Netanjahu tha: “Ne po flasim me disa vende” pa i përmendur ato. Në intervistën për rrjetin izraelit i24, ai theksoi se plani “nuk i dëbon” palestinezët, por “u jep mundësinë të largohen”.
“Të gjithë ata që thonë se janë të shqetësuar për palestinezët dhe duan t’u ndihmojnë palestinezëve,” tha Netanjahu, duhet “të hapin dyert e tyre. Pse vijnë dhe na bëjnë moral? Hapni dyert tuaja,” shtoi ai.
Këto komente vijnë në një kohë kur rritet shqetësimi ndërkombëtar për planin e Izraelit për të marrë nën kontroll qytetin e Gazës, ku jetojnë mbi një milion palestinezë, shumë prej të cilëve tashmë të zhvendosur nga lufta. Qyteti i dendur me popullatë vazhdon të jetë shënjestër e sulmeve izraelite, ku të paktën 123 persona u vranë në 24 orët e fundit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi.
Ndërkohë, mbi 100 organizata humanitare i bënë thirrje Izraelit të ndalojë atë që e quajtën “armëzim të ndihmës” në Gaza, duke theksuar se ndihma jetike po pengohet ndërkohë që territori përballet me urinë. Shaina Low, këshilltare për komunikim në Këshillin Norvegjez për Refugjatë, tha se çdo plan për zhvendosjen e palestinezëve, qoftë brenda Gazës apo në vende të huaja, është “i dështuar”.
“Ato nuk janë të pranueshme sipas të drejtës ndërkombëtare. Nuk janë të pranueshme për palestinezët. Dhe nuk duhet të jenë të pranueshme për komunitetin ndërkombëtar,” tha Low për CNN.
Gjatë intervistës, moderatorja e i24News, Sharon Gal, e pyeti Netanjahun nëse ai “identifikohet” me vizionin për “Izraelin e Madh”, dhe ai u përgjigj: “Shumë.”
Termi “Izraeli i Madh” i referohet një shteti Izrael jashtë kufijve aktualë, shpesh duke përfshirë territore të Egjiptit, Sirisë, Jordanisë dhe Libanit, sipas interpretimit biblik.
Deklaratat e tij u pritën me reagime të ashpra nga disa shtete arabe, të cilat e dënuan përdorimin e termit si provokues dhe kundërproduktiv për paqen. Egjipti kërkoi “sqarime” duke theksuar se kjo ka “implikime destabilizuese dhe tregon refuzim të përpjekjeve për paqe në rajon, si dhe insistim për eskalim”. Arabia Saudite tha se “hedh poshtë kategorikisht planet për kolonizim dhe ekspansionizëm nga autoritetet okupatore izraelite”. Katari deklaroi se përdorimi i termit përfaqëson “vazhdimin e qasjes së okupimit të bazuar në arrogancë, nxitjen e krizave dhe konflikteve dhe shkelje flagrante të sovranitetit të shteteve”.
Biseda mes Gal dhe Netanjahut për “Izraelin e Madh” nuk u shfaq në intervistën e plotë në kanalin zyrtar, por një version më i gjatë me komentet e tij u publikua në llogarinë e Gal në X.