Nga 23 gushti deri më 11 shtator do të ketë shqyrtim publik në listën zgjedhore për zgjedhjet lokale

Më 23 gusht fillon shqyrtimi publik i Listës Zgjedhore për zgjedhjet lokale të caktuara për 19 tetor, i cili zgjat 20 ditë, pra deri më 11 shtator në mesnatë. Më së voni më 3 tetor Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) duhet ta nënshkruajë Listën Zgjedhore të përfunduar, pra ekstraktet nga Lista Zgjedhore mbi të cilat do të votohet.
Kërkesat për regjistrim, plotësim ose fshirje të të dhënave në ekstraktet e Listës Zgjedhore, e cila është e vendosur për shqyrtim publik, paraqiten me shkrim në zyrën rajonale të KSHZ-së ose në zyrën lokale në vendbanimin e qytetarit, ose me e-mail në KSHZ. Me kërkesën bashkëngjiten edhe dëshmitë e nevojshme. Kërkesat mund të paraqiten gjatë periudhës nga 23 gushti deri më 11 shtator.
Shqyrtimi i Listës Zgjedhore u mundësohet edhe të burgosurve. Personat në paraburgim ose në burg, për regjistrim, plotësim ose fshirje të të dhënave në ekstraktet e veçanta të Listës Zgjedhore gjatë shqyrtimit publik, e paraqesin kërkesën përmes organit përgjegjës për ekzekutimin e sanksioneve në KSHZ, nga 23 gushti deri më 11 shtator.
KSHZ, mbi bazën e kërkesave dhe paraqitjeve të qytetarëve, është e detyruar të vendosë me vendim brenda 24 orëve nga dita e pranimit të kërkesës. Kundër vendimit me të cilin refuzohet kërkesa, qytetari brenda 24 orëve nga pranimi i vendimit mund të paraqesë padi në Gjykatën Administrative nëpërmjet rrugës elektronike. Gjykata Administrative është e detyruar të vendosë brenda 24 orëve dhe vendimin menjëherë t’ia dërgojë paditësit në mënyrë elektronike. Vendimi i formës së prerë i Gjykatës Administrative, i sjellë mbi padinë për regjistrim, ndryshim ose fshirje, është pjesë përbërëse e Listës Zgjedhore të nënshkruar nga KSHZ.
Kërkesën për dorëzimin e Listës Zgjedhore partitë politike e dorëzojnë në KSHZ në mënyrë elektronike, më së voni më 11 shtator. KSHZ, brenda tre ditëve (më së voni më 14 shtator) nga dita e përfundimit të shqyrtimit publik, ua dorëzon Listën Zgjedhore partive politike që kanë paraqitur kërkesë deri në ditën e përfundimit të shqyrtimit.
Partitë politike, brenda pesë ditëve nga dita e pranimit të Listës Zgjedhore nga KSHZ (më së voni më 19 shtator), mund të dorëzojnë kërkesë për regjistrim, plotësim ose fshirje të të dhënave. KSHZ për kërkesën e paraqitur vendos me vendim brenda tre ditëve nga pranimi i saj, në përputhje me Rregulloren për metodologjinë e qasjes së plotë, kryerjen e ndryshimeve dhe fshirjen e të dhënave në Listën Zgjedhore. Kundër vendimit të KSHZ-së, partia politike mund të paraqesë padi në Gjykatën Administrative brenda 24 orëve nga pranimi i vendimit, e Gjykata është e detyruar të vendosë brenda 24 orëve.
Ministria e Punëve të Brendshme, brenda një dite pas përfundimit të shqyrtimit publik më 12 shtator, i dorëzon KSHZ-së listën e shtetasve që kanë paraqitur kërkesë për lëshimin e një karte identiteti ose pasaporte të re nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e përfundimit të shqyrtimit publik, si dhe listën e personave që do të mbushin 18 vjeç deri ditën e zgjedhjeve. KSHZ këto persona i regjistron në Listën Zgjedhore sipas detyrës zyrtare.
Organi përgjegjës për ekzekutimin e sanksioneve, më së voni 30 ditë para ditës së caktuar për zgjedhje, i dorëzon KSHZ-së të dhënat për personat që janë në paraburgim ose duke vuajtur dënimin me burgim, bazuar në evidencën që e mban ky organ. Të dhënat dorëzohen në formë elektronike dhe duhet të përmbajnë numrin unik amë të qytetarit (NUM), më së voni më 18 shtator.
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, më së voni 30 ditë para ditës së zgjedhjeve, bazuar në evidencën e saj dhe të dhënat e dërguara nga institucionet për kujdes jashtëfamiljar, i dorëzon KSHZ-së të dhënat për personat që janë paraqitur për të votuar në këto institucione, më së voni më 18 shtator.
Gjykatat themelore i dorëzojnë KSHZ-së të dhënat për personat të cilëve me vendim gjyqësor të formës së prerë u është marrë tërësisht ose pjesërisht zotësia për të vepruar, kur gjykata ka konstatuar se personi nuk ka aftësi për të shprehur vullnet juridikisht të vlefshëm në zgjedhje, si dhe të dhënat për personat ndaj të cilëve është shqiptuar masa e paraburgimit, më së voni deri më 18 shtator.
Lista Zgjedhore, në të cilën janë bërë të gjitha ndryshimet që kanë rezultuar nga shqyrtimi publik, KSHZ e mbyll më së voni 15 ditë pas përfundimit të shqyrtimit publik, pra më së voni më 26 shtator. KSHZ e nënshkruan Listën Zgjedhore të mbyllur, pra ekstraktet nga Lista Zgjedhore mbi të cilat do të votohet, më së voni 15 ditë para ditës së zgjedhjeve, pra më së voni më 3 tetor.