Revista prestigjioze, France Football, ka shpallur gjatë ditës së sotme (e enjte), 7 gusht, kandidatët për Trofeun Kopa 2025.

Ceremonia e Topit të Artë 2025 do të zhvillohet në Paris më 22 shtator. Aty do të merren parasysh vetëm performancat e sezonit të fundit.

Para ndarjes së Topit të Artë, aty do të jetë edhe Trofeu Kopa, i cili i jepet lojtarit më të mirë të ri të sezonit.

France Football tashmë ka zbuluar se kush janë kandidatët për ta fituar këtë çmim dhe me të vërtet të gjithë këta emra e meritojnë, pasi kanë pasur super-sezone me skuadrat dhe kombëtaret e tyre.

Pau Cubarsi (Barcelona, Spanjë), Ayyoub Bouaddi (Lille, Francë), Desire Doue (PSG, Francë), Estevao (Chelsea, Brazil), Dean Huijsen (Real Madrid, Spanjë), Myles Lewis-Skelly (Arsenal, Angli), Rodrigo Mora (Porto, Portugali), Joao Neves (PSG, Portugali), Lamine Yamal (Barcelona, Spanjë), Kenan Yildiz (Juventus, Turqi) janë emrat që luftojnë për çmimin e madh individual.

Megjithatë, Lamine Yamal nuk do të jetë në gjendje ta fitojë çmimin për shkak se e kishte fituar atë herën e kaluar.

Këtë çmim më parë e kanë fituar edhe emra si Jude Bellingham, Gavi dhe Pedri.