Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ndihmësdrejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, i cili u arrestuar muajin e kaluar nga Policia e Kosovës, pasi ka mbajtur fjalim kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hoçë të Madhe të Rahovecit.

Popoviq akuzohet për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe e mosdurimit”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Ai akuzohet se me dashje dhe me qëllim ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike, më datë 18.07.2025, rreth orës 12:00, në Rahovec.

Sipas aktakuzës, I.P. ka mbajtur një fjalim publik, me të cilin i është drejtuar një mase të gjerë qytetarësh, ku ndër të tjera ka përdorur gjuhë me përmbajtje nxitëse dhe urrejtëse, duke thënë: “…Serbët kanë pësuar këtu në rajonin e Rahovecit, Metohisë, Kosovës e Metohisë, për shkak se janë vendas dhe i kanë rrënjët këtu dhe nuk lejojnë që dikush t’i shpallë okupatorë, ardhacakë dhe t’i përzë nga këtu, nga UÇK – organizatë terroriste”, dhe më pas ka vazhduar të bëjë thirrje drejtuar qytetarëve, duke deklaruar: “Neve na mbetet të jemi krenarë për trimërinë e viktimave dhe vëllezërve të mbetur këtu dhe të mëtojmë që Hoça e Madhe dhe Rahoveci të mbeten serbe…” .

Me këto veprime, I.P. akuzohet se ka nxitur dhe thelluar mosbesimin dhe mosdurimin ndaj diversitetit etnik në Kosovë, si dhe ka cenuar bashkëjetesën ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, bëhet e ditur në njoftim.

Popoviq ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

“Në bazë të kësaj, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, krahas aktakuzës, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë edhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë, thekson njoftimi./Reporteri.net/