Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar të martën masë paraburgimi prej një muaji ndaj një burri të dyshuar për pjesëmarrje në sulmin kundër pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan, më 2023.

Gjykata ka thënë se ekzistojnë dyshime se i pandehuri L.M i ka kryer veprat penale:“bashkim për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

Prokuroria ka thënë se i dyshuari i ka kryer këto vepra penale më 29 maj të vitit 2023, bashkë me shumë të dyshuar tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia.

Prokuroria u është referuar përleshjeve që kanë ndodhur atë ditë afër objektit të Komunës së Zveçanit, si pasojë e të cilave janë plagosur 93 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), nga disa protestues serbë.

Të plagosur nga kjo përplasje ka pasur edhe në anën e protestuesve.

Situata ishte përshkallëzuar pasi serbët lokalë kundërshtonin hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët gjatë atij viti. Serbët lokalë e patën bojkotuar atë proces.

NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që autorët e dhunës të mbahen përgjegjës.

Në gusht të këtij viti, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar të pandehurin me inicialet M.A me katër vjet e 11 muaj burgim, pasi ai e ka pranuar fajësinë për dhunën e ushtruar ndaj ushtarëve të KFOR-it më 2023.

Bashkimi Evropian i pati vënë Kosovës masa ndëshkuese, duke konsideruar se ajo nuk ka marrë masa të mjaftueshme për ta shtensionuar situatën.

Masat, të cilat besohet ta kenë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë të miliona eurove, kanë nisur të hiqen gradualisht prej majit të këtij viti./REL