Norvegjia ka themeluar zyrtarisht Brigadën Finnmark në rajonin e Arktikut në kufirin me Rusinë, si pjesë e një plani për të forcuar sigurinë kombëtare dhe për të përmbushur detyrimet e saj ndaj NATO-s. Ky veprim e afron Oslon me qëllimin e saj për të trefishuar numrin e brigadave deri në vitin 2032.
Formimi i brigadës së re është pjesë e strategjisë së parë të sigurisë kombëtare të Norvegjisë, të miratuar këtë vit, e cila parashikon forcimin e përshpejtuar të mbrojtjes dhe thellimin e bashkëpunimit ushtarak me Bashkimin Evropian.
“Ne duhet të jetojmë me një Rusi më të rrezikshme dhe të paparashikueshme. Krijimi i brigadës ‘Finnmark’ është një përgjigje e nevojshme ndaj situatës më të pasigurt të sigurisë në botë”, tha Ministri Norvegjez i Mbrojtjes, Tore O. Sandvik.
Ky veprim vjen në një kohë tensionesh të larta gjeopolitike në Arktik, ku NATO dhe Rusia po demonstrojnë gjithnjë e më hapur aftësitë e tyre ushtarake.