Fondi norvegjez i pasurisë sovrane, i cili ka në menaxhim 2 trilionë dollarë, do të njoftojë ndryshime në trajtimin e investimeve të veta në Izrael, tha të premten ministri i Financave i Norvegjisë, Jens Stoltenberg, duke përjashtuar ndonjë tërheqje të plotë për shkak të luftës në Gaza.

Fondi i pasurisë sovrane tha se të martën do të ofrojë një përditësim ndaj investimeve të tij në Izrael. Qeveria norvegjeze këtë javë nisi një shqyrtim urgjent të investimeve për shkak të shqetësimeve etike të lidhura me luftën në Gaza dhe pushtimin izraelit të Bregut Perëndimor, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Shoh disa masa me kalimin e kohës, por ajo që mund të adresohet shpejtë, duhet të kryhet shpejt” – tha Stoltenbergu në një konferencë për gazetarë, pasi e zhvilloi takimin e tij të dytë me zyrtarë të fondit sovran brenda tri ditëve.

Ai nuk tregoi se cilat mund të jenë masat, por shtoi se nuk do të ketë de-investim të plotë nga të gjitha kompanitë izraelite. “Nëse do ta bënim këtë, do të nënkuptonte se ne jemi duke hequr dorë nga to për shkak se janë izraelite” – tha ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Rishikimi erdhi pas raportimeve të mediave lokale se fondi sovran kishte grumbulluar aksione në një grup izraelit të motorëve të aeroplanëve, “Bet Shemesh Engines Ltd”, i cili u ofron shërbime forcave të armatosura izraelite, përfshirë mirëmbajtjen e aeroplanëve luftarakë, duke shkaktuar debat në shtetin e pasur evropian para zgjedhjeve të 8 shtatorit.

Të mërkurën, agjencia e etikës e fondit sovran, e cila e vëzhgon respektimin e udhëzimeve etike në investimet e fondit, të përcaktuara nga Kuvendi, pranoi se do të duhej ta shqyrtonte grupin “Bet Shemesh Engines” për tërheqje të mundshme të investimeve. Vetë kompania nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Fondi norvegjez i pasurisë sovrane ka aksione në 8.700 kompani në pjesë të ndryshme të botës. Në fund të vitit 2024, ky fond kishte aksione në 65 kompani izraelite, me vlerë të 1,95 miliard dollarëve, sipas të dhënave të fondit./Nacionale