Ndërmarrja Publike për menaxhim me ujin në Tetovë, “Sharri”, ka hedhur poshtë informacionet se bëhet shitja apo privatizimi i ujit në Tetovë. Drejtori i kësaj ndërmarrjeje Valon Zeqiri tha se orëmatësit, kanë të bëjnë me instalimin e tyre në kompani që harxhojnë më tepër ujë, me qëllim të mbajtjes në kontroll të ujit dhe furnizimit me ujë të pijshëm në gjithë qytetin.

“Kemi hapur një tenderim me vlerë prej diku 12 milion denarë me çka do të sigurohen rreth 1000 ujëmatës që do jenë për firmat e mëdha në qytet. Desha të sqaroj rreth ujëmatësve se të njëjtët, do të financohen plotësisht nga Ndërmarrja Sharri, dhe spekulimet ku flitet se ndërmarrja e ujit do të shitet apo privatizohet, nuk janë të vërteta. Uji së pari nuk mund të privatizohet apo të shitet, ndërsa ujëmatësit do financohen gjithë nga ndërmarrja Sharri, si në këtë tenderim që u bë, do ketë njëjtë tenderim për lagjen 146 që ti furnizojmë me ujëmatës”, deklaroi Valon Zeqiri, drejtor i NPK “SHARRI”.

Sipas Zeqirit, Tetova këtë verë ka ujë të bollshëm për pije, ndërsa edhe përqindja e pagesës është rritur. Zeqiri tha se edhe pse ndërmarrja u gjet me humbje dhe me rroga të prapambetura, situata financiare tani është stabile.
“Ndërmarrja “Sharri” u gjet në humbje prej 16 milion denarësh dhe me tre rroga minus, humbje kjo që brenda një viti u rregullua dhe arritën ti japim gjitha rrogat e punëtorëve, dhe kemi arritur që të kemi një saldo pozitive në bazë të raportit të fundit, prej rreth 4 milion denarësh”, tha Valon Zeqiri, drejtor i NPK “SHARRI”.

Ndërmarrja Publike për menaxhim me ujin “Sharri”, është ndër të vetmet ndërmarrje publike, e cila ka arritur të shlyej borxhet ndaj punëtorëve si dhe të realizojë dy projekte shumë me rëndësi për dy lagje të mëdha të Tetovës, siç është ndërrimi i rrjetit të ujësjellësit, që ka rezultuar me mbi 3.000 shtëpi të kenë kyçje të reja dhe sistem të ri uji. Ditë më parë, në këtë ndërmarrje u ndanë edhe 14 vendime pune për punëtorët e mirëmbajtjes dhe menaxhimit të ujit në Tetovë. /Alsat