Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, është përfshirë në një kontradiktë të thellë publike lidhur me punësimin e 155 motrave medicinale, stafit mjekësor dhe administrativ në Spitalin Klinik të Tetovës.

Vetëm tre javë më parë, më 22 korrik 2025, në një dalje publike të bujshme, ministri Aliu deklaroi se çështja e punësimeve është zgjidhur përfundimisht dhe se nuk do të ketë më vonesa apo abuzime në këtë proces. Para mediave dhe stafit të shëndetësisë, ai tha:

“Këto 155 që janë pas meje, të mund të abuzosh 10 vjet dhe të vraposht abuzosh më tej edhe kur ata e kanë të zgjidhur problemin, mund të them se është jo njerëzore. Përveç që s’ka qenë jofunksionale, është jo njerëzore. Këto persona 10 vjet kanë qenë të shantazhuar nga institucionet dhe nuk e kanë zgjidhur problemin. Dhe sot para jush them se PROBLEMI është ZGJIDHUR. Dhe si do mendoni ju që unë do të kisha thënë që është zgjidhur dhe nesër përsëri do të takohemi bashkë dhe do më pyetni? Sepse këto persona pas meje janë me emër e mbiemër, me familje, me dinjitet. Dhe sot të thuhet që nuk është zgjidhur problemi, jo që është turp, por jo njerëzore.”

Mirëpo sot, më 14 gusht 2025, ministri Aliu ka dalë me një deklaratë krejtësisht të ndryshme, duke e shtyrë për pas zgjedhjeve vendimin përfundimtar për punësim:

“Faza e fundit ka ngelur që secili kandidat të takohet me drejtorin e Spitalit, e më pas të dalë lista e punësimeve. Nuk abuzohet me procesin, por për shkak të standardeve dhe ligjeve, nuk mund të shkojmë hapin e fundit, sepse do të zgjasë 1–2 ditë pas zgjedhjeve lokale.”

Ky kthim mbrapa nga deklarata e dhënë më 22 korrik ka nxitur reagime dhe dyshime për manipulim elektoral, veçanërisht duke qenë se shtyrja lidhet drejtpërdrejt me datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Ndërkohë, burime të portalit TS bëjnë të ditur se kandidatët për punësim qofshin motra medicinale, staf mjekësor apo administrativ janë përballur me presion të drejtpërdrejtë politik.

Sipas këtyre burimeve, personave të përfshirë në proces u është sugjeruar që të votojnë për koalicionin VLEN, në mënyrë që të jenë të sigurt për punësimin e tyre pas zgjedhjeve./TS/