Matjet sugjerojnë se vapa ekstreme po thyen rekorde temperaturash në të gjithë Evropën dhe po nxit zjarre më të mëdha dhe më të forta.

Në Francën jugperëndimore, rekordet u thyen të hënën në Angouleme, Bergerac, Bordeaux, Saint-Emilion dhe Saint-Girons. “Meteo France” ka thënë se “temperaturat maksimale shpesh të jashtëzakonshme, madje të papara” në rajon ishin 12 gradë celsius mbi normën për dekadat e fundit, raporton The Guardian.

Në Kroaci, rekordet e temperaturës së ajrit u shënuan në Shibenik, me 39.5 gradë celsius, dhe Dubrovnik, me 38.9 gradë celsius, ndërsa zjarre të mëdha pyjore shpërthyen përgjatë bregdetit të saj dhe përshkuan vendet fqinje në Ballkan.

Përtej Evropës, dhjetëra rekorde temperaturash u thyen në të gjithë Kanadanë, teksa nxehtësia rekorde mbi 50 gradë celsius në Irak duket se u bë shkaktar për një ndërprerje të energjisë në të gjithë vendin.

Në Itali, 16 nga 27 qytete të mëdha u vunë nën alarm të kuq për vapë dhe një djalë katërvjeçar vdiq nga goditja nga nxehtësia, ndërkohë që në Spanjë, një burrë vdiq në një zjarr të egër pasi pësoi djegie në 98% të trupit të tij.

“Karakteristika kryesore e valës së të nxehtit është gjatësia dhe shtrirja dhe jo intensiteti”, ka thënë Jose Camacho, një shkencëtar i klimës dhe zëdhënës i Aemet, agjencisë spanjolle të motit.

“Por temperaturat janë ende shumë të larta”, ka shtuar ai.