Presidenti Donald Trump të shtunën u nda nga Ukraina dhe aleatët kryesorë evropianë pas samitit të tij me Presidentin Vladimir Putin të Rusisë, duke miratuar planin e këtij të fundit për një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje bazuar në lëshimin e territorit ukrainas të papushtuar për Rusinë, në vend të armëpushimit urgjent që Trumpi kishte thënë se donte para takimit.
“New York Times” shkruan se anashkalimi i diskutimeve për armëpushim do t’i jepte Rusisë një avantazh në bisedime, të cilat pritet të vazhdojnë të hënën kur Presidenti Volodymyr Zelensky viziton Trumpin në Shtëpinë e Bardhë. Sipas NYT, kjo thyen një strategji për të cilën Trumpi dhe aleatët evropianë, si dhe Zelensky, kishin rënë dakord para samitit ShBA-Rusi në Alaska.
Trump u tha udhëheqësve evropianë se besonte se një marrëveshje e shpejtë paqeje mund të negociohej nëse Zelensky pranon t’ia lëshojë pjesën tjetër të rajonit të Donbasit Rusisë, madje edhe ato zona që nuk janë të pushtuara nga trupat ruse, sipas dy zyrtarëve të lartë evropianë të informuar mbi thirrjen.
Në këmbim, Putini ofroi një armëpushim në pjesën tjetër të Ukrainës në vijat aktuale të betejës dhe një premtim me shkrim për të mos sulmuar më Ukrainën ose ndonjë vend evropian, thanë zyrtarët e lartë.
NYT thotë se Trump ka shkelur premtime të ngjashme më parë.
Sipas këtij mediumi amerikan, Presidenti amerikan kishte kërcënuar me penalitete të ashpra ekonomike nëse Putini do të largohej nga takimi pa një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, por, siç pranuan zyrtarët evropianë dhe rusë, ai i pezulloi këto kërcënime pas samitit.
Lëvizjet e presidentit amerikan u pritën ftohtë në Evropë, ku udhëheqësit e kanë parë vazhdimisht Trumpin të ndryshojë qëndrimet ndaj Ukrainës pasi foli me zotin Putin, shkruan NYT.
Trump shkroi në rrjetin social “Truth Social” herët të shtunën se foli në telefon me Zelenskyn dhe udhëheqësit evropianë pas takimit të tij me Putinin. Ai tha se “të gjithë ishin të mendimit se mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës së tmerrshme midis Rusisë dhe Ukrainës është të shkohet drejtpërdrejt në një Marrëveshje Paqeje, e cila do t’i jepte fund luftës, dhe jo thjesht një Marrëveshje Armëpushimi, e cila shpesh herë nuk zbatohet”.
E sipas “New York Times”, udhëheqësit evropianë e bënë të qartë, publikisht dhe privatisht, se kjo nuk ishte e vërtetë. Ata lëshuan një deklaratë që nuk i bëri jehonë pretendimit të Trumpit se bisedimet e paqes ishin të preferueshme ndaj një armëpushimi. Britania, Franca, Gjermania dhe të tjerë mirëpritën përpjekjet e Trumpit për të ndaluar luftën, por kërcënuan të rrisin penalitetet ekonomike ndaj Rusisë “për sa kohë që vrasjet në Ukrainë vazhdojnë”.
Megjithatë, në një deklaratë publike, udhëheqësit evropianë e lavdëruan Trumpin – me terma më të butë se zakonisht – për përpjekjet e tij për të ndërmjetësuar paqen, dhe veçanërisht për premtimin e tij për të përfshirë Shtetet e Bashkuara në garantimin e sigurisë së Ukrainës në të ardhmen.
Rusia, e cila nisi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, ka kërkuar që Ukraina të lëshojë një pjesë të madhe të tokës së saj, të çarmatoset, të betohet të mos bashkohet me NATO-n dhe të ndryshojë qeveritë. /Klankosova.tv