Çështja e Alta Bankës, bankës serbe – është kapje strategjike e mekanizmave të vendit dhe dëshmi e margjinalizimit të VLEN-it në Qeveri. Kështu është përgjigjur kandidati për kryetar i Komunës së Çairit, Bujar Osmani ndërsa është pyetur se banka serbe në Maqedoni tashmë është punë e kryer.
“Sa i takon çështjes së Alta Bankës, ne e kemi paralajmëruar me kohë. Por nuk kemi qenë vetëm ne – 461 deputetë të Parlamentit Europian kanë vlerësuar se Maqedonia është bërë pjesë e botës serbe. Kjo do të thotë se bota serbe ka hyrë në sistemet strategjike të vendit, për të kapur ndikim mbi partitë në pushtet, dhe se VLEN-i është bërë pjesë e kësaj kapjeje. Paralajmëruan për një bankë shqiptare, por përfunduam me një bankë serbe. Çështja e bankës nuk është lojë – ajo është përfshirje direkte dhe kapje e mekanizmave kryesorë për të ndikuar në politikë”, ka thënë Osmani, ndërsa ka shtuar se ato banka do të financojnë kompani dhe biznese, dhe në këtë mënyrë, si drejtpërdrejt ashtu edhe tërthorazi, do të kapin politikën e vendit.
“Kjo është një lëvizje gjeostrategjike dhe strategjike për Maqedoninë e Veriut. Përveç izolimit nga Bashkimi Europian, tani po lëvizim drejt botës serbe, dhe për këtë situatë VLEN-i do të mbajë përgjegjësi historike. Kjo gjithashtu tregon margjinalizimin e tyre në qeveri, pasi nuk kanë asnjë ndikim = ose, mos e dhëntë Zoti, janë bërë pjesë aktive e kësaj kapjeje. Ky është realiteti i hidhur që duhet ta shohim qartë: Maqedonia e Veriut nuk mund të lejojë kapjen e institucioneve strategjike nga bota serbe, dhe askush nuk mund të ikë nga përgjegjësia historike”, tha Osmani.