Në kërkimin e saj për një mënyrë për ta diskredituar kundërkandidatin Bujar Osmani, koalicioni VLEN u fut në një fushatë që e kaloi pragun e mirësjelljes politike.
Akuza se Osmani gjoja “e keqpërdori” një grua për një fotografi vetëm pse ajo doli të ishte nëna e një funksionari të VLEN, jo vetëm që u demantua lehtë, por edhe i komprometoi seriozisht pikërisht ata që e nisën sulmin.
Konkretisht, një funksionar i Alternativës publikoi një postim ku pretendonte se Bujar Osmani e kishte keqpërdorur nënën e tij për fotografi dhe kishte gënjyer se ajo vetë kishte kërkuar të fotografohej. Të gjithë përkrahësit dhe funksionarët e VLEN e shpërndanë statusin, madje edhe zëdhënësja e Qeverisë lejoi vetën të hynte në këtë fushatë kundër Osmanit.
Një orë pas aluzave shpifëse të VLEN-it, Bujar Osmani publikoi një video në të cilën shihet dhe dëgjohet qartë se gruaja vetë kishte kërkuar të fotografohej me të, në një atmosferë miqësore dhe me pajtim të plotë. Ngjarja kishge ndodhur gjatë një vizite në terren, derë më derë, ku, siç është zakon, kandidatët fotografohen me qytetarët me kërkesën e tyre.
Me publikimin e videos, përpjekja e VLEN për ta paraqitur Osmanin si manipulator u shndërrua në një autosabotazh politik që e zbuloi dobësinë, e jo forcën e fushatës së tyre.
Kur sulmet në fushatë fillojnë të bazohen mbi akuza të rreme e fyese, kur keqpërdoren qytetarë të thjeshtë, atëherë problemi nuk është tek kundërshtari politik, por tek korniza morale e vetë sulmuesit.
VLEN jo vetëm që e sulmoi Osmanin pa dëshmi, por edhe e fyen në mënyrë indirekte gruan, të drejtën e saj për zgjedhje politike dhe privatësinë e saj dinjitoze.
Në vend të pikëve politike, VLEN mori dënim publik dhe tallje. Me lëvizje të tilla, koalicioni qartazi harron se votuesi shqiptar kërkon ide, zgjidhje, përgjegjësi, jo fushata të zeza të lira e të ulëta.
Nga ana tjetër, Osmani jo vetëm që nuk humbi, por fitoi në kredibilitet. Me një reagim dinjitoz e të argumentuar, dhe me publikimin e dëshmive faktike, ai e mbajti epërsinë politike dhe tregoi pjekuri në raportin me qytetarët, madje edhe me ata pranë kundërshtarëve të tij.
Nëse VLEN me të vërtetë dëshiron të imponohet si një opsion serioz, metoda të tilla duhet të ndalen menjëherë. Ky rast është sinjal se fushata u ka dalë nga kontrolli dhe se janë të gatshëm për gjithçka, madje edhe për të poshtëruar qytetarët, vetëm për ta njollosur kundërshtarin.
Por me këtë, ata nuk e dëmtojnë Osmanin, por imazhin e tyre te votuesit.