Plan sekret për mbikëqyrje: Serbia zgjeron rrjetin me pajisje të Kinës, a përfshihet edhe Maqedonia?

Nuk dihet pse Huawei ofroi këto ulje kaq të mëdha.
Kompanitë kineze që operojnë ndërkombëtarisht njihen për ofrimin e zbritjeve të mëdha për të siguruar kontrata, por kursimet e aplikuara në këtë rast janë të konsiderueshme dhe mbetet e paqartë nëse Huawei është përballur me konkurrencë nga kompani të tjera për të fituar projektin në Serbi.
“Shpjegimi më i mundshëm, sipas mendimit tim, është se Huawei pret një marrëdhënie më afatgjatë me Qeverinë serbe”, tha Healy.
“Ndonjëherë, për Huawei-n, nuk ka të bëjë me paratë, por më shumë me marrëdhënien mes Serbisë dhe Kinës”.
Edhe pse Huawei është kompani private, ajo është përzgjedhur nga Partia Komuniste Kineze si “kampion kombëtar” në zhvillimin e pajisjeve të telekomunikacionit dhe është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për lidhje me ushtrinë kineze dhe rrezik spiunazhi.
Shumë vende evropiane, sikurse Australia dhe Kanadaja, kanë vendosur kufizime për përdorimin e pajisjeve Huawei për arsye të sigurisë kombëtare.
Megjithatë, Serbia e ka zgjeruar bashkëpunimin me Huawein dhe kompani të tjera kineze, në kuadër të afrimit me Pekinin gjatë dekadës së fundit përmes investimeve, projekteve infrastrukturore dhe prezencës në rritje të firmave kineze.
Mbikëqyrja “në stil kinez” është bërë një nga shenjat më të dukshme të ndikimit të Kinës në Serbi. Një hulumtim i REL-it nga viti 2023 tregoi se 42 komuna serbe kishin blerë kamera e softuerë kinezë, disa prej tyre me aftësi për njohjen e fytyrës./rel