Departamenti i Kontrollit të Brendshëm, Hetimeve Kriminalistike dhe Standardeve Profesionale pranë MPB-së, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka ngritur kallëzim penal kundër A.B., polic i lartë në Njësitin e Policisë Intervenuese pranë SPB Shkup.
Ai dyshohet për veprën penale “Dhënie ryshfeti” sipas nenit 358, paragrafi 1 të Kodit Penal. Hetimet kanë treguar se gjatë muajve shkurt dhe mars të këtij viti, i denoncuari ka ndërmjetësuar dhe ofruar ryshfet ndaj një punonjësi policor në VK Bllacë e Poshtme, me qëllim që ai të mos e evidentojë hyrjen në shtet të një shtetasi maqedonas, por në vend të tij të shënojë një shtetas turk.
Polici është privuar nga liria dhe është ndaluar në stacion policor. Me vendim të Gjykatës Themelore Penale Shkup, ndaj tij është shqiptuar masë kujdesi dhe ndalim për ushtrimin e veprimtarisë.
Ndërkohë, Departamenti i Kontrollit të Brendshëm ka paralajmëruar se ndaj A.B. do të iniciohet edhe procedurë disiplinore për shkelje të rendit të punës.