Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë është shprehur i alarmuar për ngjarjen ku thuhet se Policia ka Bllokuar zyrat e News24, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.

Sipas AGSh, “ky veprim alarmant përbën një shkelje flagrante të parimeve themelore të demokracisë dhe të lirisë së shprehjes, të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.

“Ndërhyrja e policisë, që pengon drejtpërdrejt punën e gazetarëve, është një akt i papranueshëm dhe përbën presion të hapur mbi median e lirë”, ka thënë AGSh në reagimin publik.

Asociacioni në fjalë ka kërkuar nga institucionet shtetërore të ndërpresin menjëherë këtë aksion, të garantojnë aksesin e gazetarëve në ambientet e punës dhe të respektojnë standardet demokratike për lirinë e medias.

“Gjithashtu, i bëjmë thirrje organizatave vendore dhe ndërkombëtare për lirinë e shprehjes të monitorojnë nga afër këtë situatë dhe të reagojnë publikisht. I bëjmë thirrje institucioneve që çdo konflikt me televizionet private të zgjidhet me mirëkuptim dhe jo me forcë”, ka thënë AGSh.

Siç raportohet, ndërhyrja policore ka të bëjë me pronën ku gjenden këto media, e cila ka përplasur qeverinë dhe pronarët e këtyre mediave.

AGSh më tej deklaroi se është informuar në detaje për rrethimin e News 24, Balkanweb, Panorama e Gazeta Shqiptare nga forcat e policisë.

“Rezulton se: Policia dhe autoritet shtetërore nuk kanë paralajmëruar mediat për një ndërhyrje të tillë, duke mos ju dhënë kohë administratorëve të marrin masat e duhura. Për rrjedhojë, transmetimi është ndërprerë. Kjo ndërhyrje agresive e autoriteteve qeveritare ka bllokuar trasmetimin dhe punën e një ekipi prej 200 punonjësish të medias. Konflikti për pronën ku operojnë këto media, vjen në kushtet e një klime përplasëse, mes qeverisë dhe pronarëve të këtyre mediave. Ka dyshime të arsyeshme për hakmarrje ndaj këtyre mediave për shkak të politikës editoriale”, ka thënë AGSh.

Prandaj, Asociacioni i Gazetarëve Shqiptarë ka bërë thirrje që Policia të largohet menjëherë dhe të lejojë gazetarët dhe ekipin mediatik të vijojnë transmetimet.

“Të garantohet menjëherë liria e shprehjes dhe e ushtrimit të funksioneve të të gjithë gazetarëve të kësaj Redaksie. Palët kontraktuese të godinës në fjalë të ulen menjëherë në një negociatë të sinqertë e të ndershme për të gjetur një zgjidhje, e cila në çdo rast duhet të garantojë një tranzicion të butë e pa shkëputur misionin e medias në shërbim të publikut”, tha AGSh.

Sipas kësaj organizate që merret me mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe mediave, “pamjet e sotme përpara katër mediave, i ngjajnë klimës mediatike në Rusi, dhe ky nuk është modeli për të cilin ne punojmë si shoqëri”. /Klankosova.tv